Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, në konferencën e fundvitit për media, ka prezantuar veprimtarinë njëvjeçare (2021) të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rezultatet dhe sfidat me të cilat Këshilli është ballafaquar në realizim të mandatit të tij, si dhe planifikimin për vitin 2022.
Kryesuesi Maloku me këtë rast ka thënë: “Me lejoni fillimisht t’ju njoftoj që edhe këtë vit po ballafaqohemi me COVID-19 në Kosovë dhe Këshilli ka zbatuar të gjitha vendimet e Qeverisë në këtë aspekt dhe ka implementuar në përpikëri Planin për menaxhimin e krizave në sistemin prokurorial, të hartuar në bashkëpunim me projektin britanik.
Këshilli sivjet ka mbajtur 16 takime dhe ka nxjerrë afro 200 vendime, të cilat kanë qenë në shërbim të sistemit prokurorial. Për më tepër, Këshilli ka realizuar edhe takime të tjera të shumta përmes komisioneve të veta të përhershme, ad hoc dhe trupave të tjerë.
Këshilli gjatë këtij viti ka vazhduar të marrë pjesë në takimet e Grupit punues për modalitetet e llogaridhënies dhe përfshirjen e vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, me ç’rast ka kontribuuar në hartimin e këtij konceptdokumenti.
Njëkohësisht, Këshilli ka vazhduar kontributin në mënyrë aktive në grupet punuese të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Të nderuar, më lejoni të theksoj në vazhdim disa nga sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga Këshilli, bazuar në mandatin e tij kushtetues dhe ligjor.
Këshilli, në bashkëpunim dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, gjatë vitit 2021 ka hartuar dhe miratuar tri rregullore që kanë të bëjnë me dosjen personale të prokurorëve, transferimin dhe avancimin e prokurorëve të shtetit dhe menaxhimin e lëndëve përmes sistemit elektronik (SMIL). Këshilli, po ashtu, ka bërë plotësimndryshimin e Udhëzimit administrativ për normën orientuese të prokurorëve.
Me qëllim të plotësimit të pozitave dhe nevojave të prokurorive është hapur konkursi për rekrutimin e 16 prokurorëve të rinj, kurse në muajin nëntor të këtij viti është mbajtur testi kualifikues dhe testi me shkrim në muajin dhjetor. Komisioni ka publikuar listën e kandidatëve që kanë kaluar testin me shkrim, të cilët do t’i nënshtrohen intervistës.
Gjithashtu, gjatë këtij viti, Këshilli, ka zgjedhur edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë së Gjakovës.
Këshilli, gjatë vitit 2021, me qëllim të trajtimit të lëndëve të rënda penale dhe me kërkesë të prokurorive ka avancuar 19 prokurorë të Shtetit nga departamenti i përgjithshëm në departamentin për krime të rënda dhe departamentin për të mitur, në të gjitha prokuroritë themelore, Prokurorinë Speciale, Prokurorinë e Apelit dhe në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Këshilli, po ashtu, ka transferuar përkohësisht 4 prokurorë në prokuroritë themelore, me qëllim të mbështetjes së prokurorive në trajtimin e rasteve penale.
Ndër objektivat e Këshillit për këtë vit kanë qenë llogaridhënia, profesionalizmi dhe disiplinimi i prokurorëve. Andaj, gjatë vitit 2021, KPK-ja ka pranuar 14 kërkesa për fillim të procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe ka themeluar 13 panele hetimore. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar edhe masa disiplinore, të cilat kanë marrë formën përfundimtare, të cilat janë publikuar në uebfaqen e sistemit prokurorial të Kosovës, përveç vërejtjes jopublike me shkrim, siç parashihet me ligj.
Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Këshilli, gjatë këtij viti, ka finalizuar vlerësimin e performancës për 65 prokurorë, me ç’rast janë vlerësuar 53 prokurorë me mandat të përhershëm dhe 12 prokurorë me mandat fillestar. Me këtë Këshilli ka përmbushur Planin vjetor për vlerësimin e performancës së prokurorëve për vitin 2021.
Plani strategjik i sistemit prokurorial 2019-2021 do të përfundojë së zbatuari në fund të këtij viti, andaj, Këshilli, me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, ka hartuar draftin e Planit të ri strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024, i cili pritet të miratohet në fillim të vitit 2022.
Gjatë vitit 2021, KPK-ja ka filluar procese mjaft të rëndësishme, ndër to është edhe reforma e administratës së sistemit prokurorial, me ç’rast është në përfundim të hartimit të akteve nënligjore dhe strukturës së re.
Sistemi prokurorial, gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, nga 372 raste të pranuara të korrupsionit ka zgjidhur 285 raste, respektivisht ka zgjidhur 77% të rasteve të pranuara. Me prioritet gjatë këtij viti janë trajtuar edhe raportet penale PPN në rastet e korrupsionit, me ç’rast gjatë nëntëmujorit 2021, nga 384 Informata PPN të pranuara, prokuroritë e Kosovës kanë trajtuar dhe përfunduar 277 informata PPN apo 72% të rasteve të pranuara.
Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 351 raste të pranuara janë zgjidhur 341 raste, respektivisht, janë zgjidhur 97% të rasteve të pranuara.
Pra raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.
Në fushën e teknologjisë informative kemi arritur me sukses të implementojmë fazën kryesore të Projektit TIK/SMIL, që është bashkëfinancim me Qeverinë norvegjeze.
Si rezultat i kësaj, në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale dhe në Prokurorinë e Apelit është duke u zbatuar SMIL-i, përfshirë edhe shpërndarjen automatike të lëndëve te prokurorët. Gjithashtu është zhvilluar SMIL-i për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe tashmë jemi në fazën e trajnimit të stafit. Gjatë muajit shkurt – mars 2022 planifikohet të vihet në zbatim në tri instancat e prokurorive.
Gjatë këtij viti kemi arritur të avancojmë shkëmbimin elektronik të të dhënave me sistemin e Policisë së Kosovës, duke mundësuar komunikimin e plotë në mes të prokurorisë – policisë. Nga numri total i rasteve të pranuara nëpër prokurori, prej Policisë i kemi pranuar 30,197 apo 72.4% të lëndëve në mënyrë elektronike dhe si rezultat i kësaj kemi arritur të kursejmë buxhetin prej 15,844€.
Po ashtu është avancuar ndërlidhja në mes të prokurorisë dhe gjykatës që lëndët fillimisht të dërgohen në mënyrë elektronike dhe më pastaj në atë fizike. Kjo do të ndikojë në largimin e regjistrave fizikë, ose punës manuale dhe transformimin e saj në atë elektronike.
Në Prokurorinë Themelore të Gjakovës është inauguruar Dhoma për të Mitur, e cila është e pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme, donacion i Ambasadës Amerikane dhe me këtë kemi arritur që në gjashtë prokurori themelore të kemi dhoma të tilla për prokurorët e departamenteve për të mitur.
Sa i përket buxhetit, buxheti i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2021, pas rishikimeve buxhetore ishte 12,704,576.41 euro.
Deri më tani, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka realizuar më shumë se 98% të buxhetit total për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore.
Buxheti i Këshillit, i miratuar për vitin 2022, është 17,144,178 euro që është buxheti më i lartë që ka pasur sistemi prokurorial, por as për këtë vit nuk është miratuar plotësisht sipas kërkesave dhe nevojave tona.
Njësia e Auditimit të Brendshëm, sipas Planit vjetor 2021, ka përfunduar pesë auditime të rregullta, qëllimi i të cilave ishte vlerësimi i sistemit të kontrollit të brendshëm.
Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë gjatë vitit 2021 ka mbështetur komisionet e përhershme dhe ad hoc të Këshillit, ka përgatitur raporte pune, raporte statistikore dhe analitike për nevojat e sistemit prokurorial dhe ka koordinuar trajnimet e prokurorëve dhe stafit mbështetës.
Këshilli ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Ndër institucionet vendore do të veçoja: Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Akademinë e Drejtësisë, Kuvendin, Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Odën e Avokatëve, Avokatin e Popullit, Policinë e Kosovës dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit.
Kurse, ndër institucionet, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, do të theksoja bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrën e BE-së në Prishtinë, UNDP-në dhe agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasadën e Norvegjisë, Ambasadën e Holandës dhe ambasadat e tjera, EULEX-in, Këshillin e Evropës, Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), GIZ-in dhe institucione dhe organizata të tjera.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit është shprehur edhe në proceset e integrimit evropian, duke u përgjigjur në çdo kohë të gjitha kërkesave për raportim dhe projektpropozimeve të ndryshme për financim të projekteve.
Kryesuesi i Këshillit gjatë vitit 2021, me autorizim të Këshillit, ka nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi, si në vijim:
· Marrëveshjen KPK-KGJK për shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike nga SMIL-i;
· Memorandum i Mirëkuptimit në mes të KPK-së, CIVIKOS-it dhe KMSHK-së për ndërtimin e kapaciteteve dhe rrugëve të komunikimit për raportimin e rasteve të identifikuara nga mediat dhe shoqëria civile;
· Marrëveshje në mes të KPK-së dhe Akademisë së Drejtësisë për trajnimet e detyrueshme dhe trajnimet shtesë për prokurorë.
KPK-ja ka miratuar Strategjinë për komunikim me publikun 2021-2023, strategji kjo, e cila në përmbajtjen e saj është më e avancuar në krahasim me atë paraprake.
Sistemi prokurorial ka vazhduar publikimin e Raportit 24-orësh.
Uebfaqja e sistemit prokurorial është pasuruar në baza ditore me informata të reja që mund t’u shërbejnë qytetarëve.
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të ndalet së punuari që komunikimi, transparenca dhe llogaridhënia në sistemin prokurorial të avancohen dhe njëkohësisht të ngrihet besimi i publikut në këtë sistem.
Këshilli, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerët e tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, ka organizuar programe të ndryshme trajnuese, duke u bazuar në nevojat e sistemit prokurorial.
1. SFIDAT GJATË VITIT 2021
Gjatë veprimtarisë sonë për vitin 2021, përveç të arriturave, natyrisht që kishim edhe sfida të ndryshme, ndërsa disa prej tyre janë, si në vijim:
§ Situata e krijuar nga pandemia COVID-19;
§ Mosplotësimi i përbërjes së Këshillit me dy (2) anëtarë joprokurorë, edhe pse përzgjedhja dhe procedurat teknike të shpalljes së konkursit nuk janë përgjegjësi e Këshillit;
§ Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha obligimet e krijuara;
§ Mungesa e legjislacionit për rregullimin e ekspertizave.
§ Specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe krimet kibernetike);
§ Mosrespektimi i parimit të transparencës përmes disa publikimeve mediale që ndikojnë drejtpërdrejt në dëmtimin e besimit të publikut në sistemin prokurorial;
§ Infrastruktura fizike (mungesa e hapësirave për Këshillin dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit) dhe
§ Ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit të sistemit prokurorial, etj.
2. Planifikimi i punës së Këshillit për vitin 2022
Në Planin strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024 janë planifikuar objektivat strategjike dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Ky plan pritet të miratohet në fillim të vitit 2022 dhe do të jetë bazë për hartimin e planeve të punës së Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit.
Këshilli do të vazhdojë punën në aktet nënligjore për riorganizimin e administratës dhe strukturës organizative, duke u bazuar edhe në ndryshimet eventuale ligjore.
Gjatë vitit 2022 pritet të përfundojë procesi i rekrutimit të 16 prokurorëve të rinj.
Si përfundim, ju njoftoj se në pajtim me ligjin, Këshilli do të publikojë Raportin e punës për vitin 2021 në fillim të vitit 2022 dhe do ta bëjë të qasshëm në faqen zyrtare të saj dhe në kopje fizike, me ç’rast publiku dhe mediat do të informohen në detaje për aktivitetet tona gjatë këtij viti.
Me këtë rast, ju falënderoj juve përfaqësues të mediave të respektuara për bashkëpunimin që kishim gjatë këtij viti dhe ju uroj Vitin e Ri 2022, duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë e Këshillit dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.