Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësiti në Mitrovicë, gjatë ditës së sotme kanë ndërprerë punimet në një objekt afarist banesor në rrugën “Marie Shllaku”, i cili është duke u ndërtuar pa leje ndërtimore nga komuna.
Me këtë rast, Inspektorët e Ndërtimit sot kanë vendosur shiritin përreth objektit afarist banesor dhe në rast të vazhdimit të punimeve do të marrin masa në rrënimin e tërësishëm të objektit pa leje ndërtimore në afat prej 72 orëve.
Po ashtu ata kanë bërë të ditur se pala ka aplikuar për leje ndërtimore dhe në qoftëse i plotëson kriteret sipas planit urbanistik do t’i jepet leja për ndërtimin e këtij objekti.
Drejtori i Inspekcionit, Valon Brahimi, ka theksuar se inspektorët komunal do të jenë në mbikëqyrje të vazhdueshme të ndërtimeve të paligjshme në gjithë territorin e Komunës së Mitrovicës, andaj luten qytetarët që para fillimit të çdo ndërtimi të jenë të pajisur me leje ndërtimi, në të kundërtën, ndërtimi do të ndalohet nga inspektorët dhe do të merren masa ndëshkuese, sipas Ligjit për Ndërtim.