Pse qeveria i mbanë dritat ndezur gjatë natës – deklarohen nga qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës, ditë më parë ka bërë thirrje që të kursehet energjia elektrike. Madje, në rekomandimet e qeverisë ata thanë që t’iu kushtohet kujdes edhe konzolave të video-lojërave që të mos lihen në ‘stand-by’ gjatë kohës sa nuk janë në përdorim. Por, ata nuk i ndalën dritat e Qeverisë as natën.

Lajmi.net për 14 netë radhazi pas thirrjeve nga krerët e shtetit për kursim të rrymës ka raportuar nga afër qeverisë ku dritat shiheshin të ndezura në disa nga zyrat e objektit.

Por, pse qeveritarët po i mbajnë dritat ndezur gjatë natës? Përgjigjet kanë qenë të ndryshme nga zyrtarët e shtetit.

“Të them të drejtën, unë jam interesuar për këtë. Meqë edhe është ngritur si çështje publike e mediatike me të drejtë sepse kur qeveria bën një thirrje ajo vet s’pari duhet ta respektojë. Përgjigjën që unë e kam marrë nga sekretariati i ndërtesës së Qeverisë është kjo. Dritat në dhomat e zyrave të qeverisë kanë sistem automatik, me ç’rast kur futet dikush dhezen dhe kur largohet nga dhoma, zyra, dhe askush nuk është prezent për një kohë relativisht të shkurtër, dritat ndalen automatikisht. Çka ju keni parë janë katet e fundit të qeverisë ku zakonisht janë katet e fundit të qeverisë ku zakonisht janë të akomoduar ministria e Financave dhe zyret e Thesarit dhe në fundvit kanë intensitetin më të lartë të punës sepse në fundvit kërkon aktivitet shtesë. Mesa më kanë njoftuar nga sekretariati, ato drita kanë qenë ndezur sepse gjatë asaj kohe ka pasur njerëz që kanë qenë brenda”, tha Kryeziu.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se dritat në objektin e Qeverisë së Kosovës mbesin ndezur pasi që ka zyrtarë që punojnë edhe pas orarit të punës.

“Një pjesë e stafit të Thesarit është duke punuar me orar shtesë për t’u siguruar se shtesat për fëmijë, pagesat për lehonat, pagesat për familjet me ndihmë sociale, pagesat e subvencioneve për bujqësinë, e shumë pagesa të tjera për qytetarët të kryhen para Vitit të Ri”, ka shkruar Murati në Facebook.

Pas Muratit ka reaguar edhe ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se edhe zyrtarët e MASHT-it po punojnë edhe sot.

“Para Vitit të Ri do të realizohen pagesat për vajzat dhe gratë përfituese të bursave STEM, ashtu si dhe pagesat për mësimdhënësit, koordinatorët dhe redaktorët-lektorët që kanë qenë të angazhuar në procesin e projektit e-Mësimi, e të cilëve qeveria e kaluar nuk u kishte kryer obligimet për punët e realizuara sipas marrëveshjes”, ka shkruar ndër të tjerash Nagavci, transmeton lajmi.net.

Nagavci ka deklaruar se me mbështetjen shtesë nga Qeveria e Kosovës me mbi katër milionë euro do të kryhen edhe pagesat për librat shkollor.

“Kursejmë energjinë elektrike e vazhdojmë me punë”, ka përfunduar Nagavci.