FFK synon ta kthejë objektin e shkatërruar në Banullë në një Kolegj modern të futbollit

Objekti i shkollës së dikurshme në fshatin Banullë të Lipjanit kohët e fundit është bërë brengë e madhe për banorët e disa fshatrave përreth. Gjendja e rënduar e këtij objekti dhe mosmenaxhimi i tij sipas banorëve është shndërruar si një pikë grumbullimi i përdoruesve të drogës.

Ditë më parë banorë të këtij fshati kanë shprehur shqetësimin e tyre për KTV-në, me ç’rast kanë kërkuar që objekti i ish-shkollës “Emin Duraku” të menaxhohet nga institucionet komunal ose të rrënohet plotësisht. Megjithatë, lajmi i mirë është se ky objekt shumë shpejt mund të shndërrohet në një ndërtesë moderne dhe dobiprurëse për rininë e vendit tonë.

Në fakt, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka konfirmuar pë se tashmë e kanë paraqitur kërkesën në komunën e Lipjanit për dhënien në shfrytëzim të këtij objekti për FFK-në, pasi aty synohet të jetësohet projekti i radhës kapital – krijimi i Kolegjit të Futbollit.

Kreu i FFK-së ka premtuar investim të madh në këtë Zonë Kadastrale, e ku ndërtesën që tashmë ka mbetur si gërmadhë do ta shndërronte në objekt modern, që do të kishte përfitime të mëdha jo vetëm komuna e Lipjanit, por në përgjithësi futbolli dhe sporti kosovar.

“Po, ne tashmë e kemi paraqitur kërkesën tek kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe jemi në pritje të miratimit të kësaj kërkese nga KK i Lipjanit. Në këtë objekt synojmë ta jetësojmë projektin e shkollës së futbollit. Kjo shkollë do të ishte e ngjashme me kolegjet e basketbollit në SHBA dhe do të ishte shkolla më e madhe në Ballkan. Fillimisht parashikohet që në këtë shkollë të regjistrohen 500 nxënës, të cilët njëherësh do të jenë edhe banues të konviktit të shkollës me kushte tejet të volitshme. Po ashtu, aty do të mund të regjistroheshin edhe nxënës nga regjioni”, ka thënë Ademi.

Ai po ashtu ka bërë të dirur se krahas kërkesës për marrjen në shfrytëzim të këtij objekti, FFK më herët e ka paraqitur kërkesën për leje për këtë shkollë edhe në Ministrinë e Arsimit.

Në rast se miratohen këto kërkesa të FFK-së, atëherë kjo do të ishte një risi e madhe në vendin tonë dhe një mundësi shumë e mirë për të gjithë të rinjtë, që në të ardhmen të jenë pjesë e një kolegji të tillë.