Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për krizën energjetike, por sipas tij kur kriza është globale dhe Kosova për 20 vjet nuk ka arritur të përmirësojë kapacitet e saja prodhuese, pasojat janë të pashmangshme.
Kryeziu për KosovaPress thotë se janë duke punuar vazhdimisht që pasojat të jetë minimale.
Me qëllim të amortizimit të krizës, Kryeziu thotë se Qeveria i ka ndarë KEK-ut 20 milionë euro për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike me qëllim të evitohet rritja e çmimit dhe sigurohet furnizimi stabil.
Krahas kësaj, ai thotë se ia kanë kthyer dividenten prej 20 milionë euro edhe KOSTT-it.
“Qeveria deri më tani përveç themelimit të një tas force dy muaj më parë që ka bërë përgatitjet e nevojshme që të ketë vendimet e duhura për ballafaqimin me këtë situatë, në javët e fundit ne kemi miratuar vendimin në qeveri që subvencionin konsumin e energjisë elektrike, me qëllim që të evitohet rritja e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe anën tjetër të sigurohet një furnizim stabil…Masat janë ndërmarrë me qëllim të amortizimit të krizës, por kur kriza është globale dhe Kosova për 20 vjet nuk ka arritur të përmirësojë kapacitetet e saj medoemos, pavarësisht përpjekjeve tona që ajo të jetë sa më e vogël dhe minimale, pasojat janë gati se të pashmangshme”, thotë Kryeziu për KosovaPress.
Zëdhënësi i Qeverisë thotë se Kosova ka kapacitete të limituara të energjisë dhe pjesa tjetër e konsumit duhet të importohet.
Për shkak të krizës globale energjetike, ai thotë se problemi thelbësor është shtrenjtimi dhe mungesa e energjisë që mund të blihet.
“Kjo krizë energjetike nuk po ndodh vetëm në Kosovë, por është krizë globale energjetike, meqë rast Kosova nuk mund të jetë përjashtim. Po ashtu duhet të ketë parasysh se për fatin tonë të keq, Kosova ka kapacitete të limituara të energjisë elektrike, atë e bënë me një teknologji të vjetruar që e ka në përdorim. Gjithmonë gjatë periudhës së dimrit këto kapacitete nuk kanë arritur t’i përgjigjen kërkesës, apo nevojës së qytetarëve për energji elektrike. Zakonisht potenciali i prodhimit të energjisë elektrike me kapacitete tona nuk e kalon 900 megavat… Pra pjesa tjetër duhet me doemos të importohet siç ka ndodhur rëndom me vitet paraprake. Dallimi është se kësaj radhe kjo po ndodh në një kohë kur ka krizë energjetike në gjithë botën, rrjedhimisht çmimi është më i shtrenjtë i importimit, por të njëjtën kohë problemi kryesor është mungesa e energjisë elektrike e cila mund të blihet nga Qeveria e Kosovës. Ky është problemi thelbësor për shkak të krizës globale energjetike”, thotë ai.
Për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike, sot do të protestohet para objektit të KEDS-it dhe Qeverisë së Kosovës.