BE-ja “anulon” garancinë e Mogherinit për Kosovën se Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive

Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini nuk do të ketë lënë shumë punë të kryera në Bruksel me angazhimin e saj si ndërmjetëse në dialogun Kosovë – Serbi. Garancia që ajo ia kishte dhënë ish-kryeministrit Isa Mustafa se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, nuk vlen tash për Bashkimin Evropian. Kosova nuk mund të llogarisë më në atë dokument.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ka thënë Gazetës Express se nuk i takon BE-së të vendosë se çfarë kompetencash mund t’i jepen ose jo Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Për këtë do të dakordohen bashkërisht Prishtina dhe Beogradi në kuadër të diskutimeve të tyre për këtë temë”, thotë Stano.

Federica Mogherini, sa kishte qenë në krye të diplomacisë së Evropës, e kishte nënshkruar një letër më 24 gusht të vitit 2015, ku zotohej se Asociacioni – parimet e përgjithshme të së cilit do të nëshkruheshin të nesërmen nga Kosova dhe Serbia – nuk do të kishte kompetenca ekzekutive.
Kjo garanci atëherë, përmbushte ‘kushtin’ vendimtar të ish-kryeministrit Isa Mustafa për ta nënshkruar dokumentin e parimeve të Asociacionit më 25 gusht 2015.

“Letra e zonjës Mogerini, e cila në emër të BE-së sqaron se sipas pikëpamjeve të tyre Asociacioni nuk është pushtet i tretë dhe nuk ka kompetenca ekzekutive, ka qenë dokument zyrtar, jo privat. Unë e kërkova atëherë si garanci për ta nënshkruar dokumentin e parimeve”, thotë për Express ish-kryeministri Mustafa. “Qëllimi ishte që kur të hartohej statuti, BE-ja të mos kërkojë kompetenca ekzekutive, pra kjo ishte një garanci, sepse zonja Mogerini ishte nënkryetare e Komisionit Evropian dhe shefe e diplomacisë evropiane.”

Mogherini e kishte nënshkruar një letër, ku shprehej se Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive.

“Në konekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive”.

Statuti i Asociacionit, sipas BE-së, do të negociohet nga palët, ndërsa në Bruksel nuk e përjashtojnë mundësinë e plotësimit apo ndryshimit të ndonjë norme të kushtetutës për ta arritur qëllimin, themelimin e Asociacionit, i cili është shpallur i vdekur nga kryeministri Albin Kurti.

“Kosova ka marrë një zotim ndërkombëtar, përmes Marrëveshjes së Brukselit (të ratifikuar me 2/3 në Kuvendin e Kosovës) për ta krijuar një asociacion/bashkësi të komunave serbe. I takon Beogradit dhe Prishtinës që të negociojnë statutin e saj, me lehtësimin e BE-së. Nëse amendamentet kushtetuese dhe legjislative janë të nevojshme për ta krijuar asociacionin/bashkësinë, varet nga ajo për çfarë palët janë në gjendje të merren vesh”, tha Stano.

Ndryshimi i qëndrimeve sipas ndërrimit të zyrtarëve në krye, do t’i kushtonte me kredibilitet Bashkimit Evropian, paralajmëron Isa Mustafa, i cili thekson se BE-ja duhet t’i përmbahet asaj letre.

“BE-ja nuk ka të drejtë të kërkojë kompetenca ekzekutive apo që të ndryshohet Kushtetuta, sepse ka garantuar që çdo gjë të bëhet sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas Kushtetutës aktuale. BE-ja duhet t’i përmbahet letrës -dokumentit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian”, tha Mustafa.
Për Kosovën Asociacioni është jokushtetues, për BE-në, marrëveshja më e rëndësishme

Më 7 dhjetor në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe pasardhësi i Mogherinit, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i shprehën hapur mospajtimet mes tyre për çështjen e Asociacionit në një konferencë të përbashkët për media pas takimit.

Kryeministri Kurti tha se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit, por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si jokushtetuese.

Borrell, paralel me Kurtin, insistoi se kjo marrëveshje duhet të respektohet.
“Nuk pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.

Kurti theksoi se nga 33 marrëveshjet që janë arritën në Bruksel, Beogradi insiston në zbatimin e vetëm asaj për Asociacionin.

“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.

Borrell, ndërsa u shpreh i vetëdijshëm se ka edhe marrëveshje të tjera të arritura, të cilat nuk po zbatohen, tha se ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është më e rëndësishmja.
“Tashmë kemi thënë që themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje u arrit me pajtimin e palëve dhe presim të zbatohet e respektohet nga të gjithë. Kjo çon drejt normalizimit të raporteve dhe këtë sot ia kam thënë edhe kryeministrit Kurti”, tha Borrell.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se “asociacioni/bashkësia do të jetë një element i rëndësishëm i marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.

Sipas ish-kryeministrit Mustafa, Kosova nuk ka asnjë obligim qoftë me Marrëveshjen e ratifikuar në vitin 2013 në Kuvend, qoftë me parimet e negociuara në vitin 2015, ta pranojë një asociacion që nuk është në harmoni me ligjet e Kosovës dhe me Kushtetutën e vendit.

“Që të jetë në harmoni me Kushtetutën aktuale është pajtuar edhe Serbia në vitin 2015. Gjykata Kushtetuese ka ndihmuar shumë në sqarimin e përgjegjësive që do të ketë Asociacioni dhe askush nuk mund të kërkoj diçka tjetër. Gjërat janë shumë të qarta”, tha Mustafa, i cili theksoi se BE-ja nuk po kërkon që Asociacion sipas parimeve të vitit 2015, por sipas Marrëveshjes së vitit 2013, ku nuk përfshihej shqyrtimi paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
“Tani, a është e gatshme Qeveria e tanishme dhe Presidentja ta bëjnë Zajednicën është në përgjegjësinë e tyre”, tha Mustafa.

Për garancinë e Brukselit ditë më parë ka folur edhe ish-këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi i cili po ashtu në të kaluarën ka qenë pjesë e negociatave në Bruksel.

“Ne kemi marrë qysh atëherë edhe një letër garantuese nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, zonja Mogherini – që udhëhiqte atëherë me procesin – që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, ka deklaruar Çollaku për Euronews.