Diaspora i dërgoi 956 milionë euro gjatë 2021-tës në Kosovë

Banka Qendrore e Kosovës(BQK) konsideron se viti 2021 ishte i suksesshëm për vendin, falë kontributit të bashkatdhetarëve, politikave qeverisëse dhe rolit të saj (BQK).

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në një konferencë për media theksoi se rritja ekonomike e këtij viti pritet të jetë 9.9 për qind, krahas rritjes edhe të eksporteve.

Guvernatori Mehmeti tha po ashtu se edhe remitancat nga diaspora nga janari deri në tetor kanë shënuar rritje rreth 1 miliard euro, ose 20 përqind më shumë se vitin e kaluar.

“Gjithashtu rritje kemi edhe te remitancat, të cilat kanë arritur vlerën 956 milionë euro apo me një rritje vjetore prej 20 përqind. Kjo bëri që të rriten edhe kërkesat e brendshme dhe njëkohësisht të rritet importi, ku importi me të dhënat e fundit që kemi në dispozicion shënoi vlerën 4.2 miliardë euro, ose një rritje vjetore 42.5 përqind. Në anën tjetër eksporti i mallrave arriti në 684 milionë euro ose me një rritje prej 60 përqind”, tha ai.

Sipas Mehmetit, edhe investimet e huaja deri në shtator, kanë arritur në 389 milionë euro.

“Sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2021 arriti në 389 milionë euro, krahasuar me 254 milionë sa ishte në vitin e kaluar. Këto kryesisht dominojnë prej investimeve të huaja direkte në sektorin e patundshmërisë, ku 265 milionë euro janë vetëm patundshmëri, ndërkaq 87 milionë janë në shërbime financiare”, u shpreh Mehmeti.

Guvernatori tha se përkundër pandemisë COVID-19, vendi arriti të ruajë stabilitetin financiar dhe të rritet kreditimi.

“Sektori bankar ka vazhduar që ta rritë kreditimin edhe njëkohësisht të ruajë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë, ku vetëm deri në nëntor 2021 janë lëshuar 1.6 miliard euro kredi të reja që paraqet një rritje prej 21 përqind, e që bëri që total kreditë të arrijnë vlerën 3.7 miliardë euro. Gjithsej mjetet në sektorin bankar arritën në 5.79 miliardë euro”, theksoi ai.

BQK ka evidentuar edhe një shkallë të lartë të inflacionit krahas rritjes së çmimeve.