Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, është duke u treguar mjaft aktive kohëve të fundit në rrjetet sociale.
Teksa shpesh publikon imazhe apo video të ndryshme nga përditshmëria, 32-vjeçarja vendosi që së fundmi t’iu tregojë ndjekësve të saj në Instagram fakte rreth familjeve shqiptare.
Asaj ia ka tërhequr vëmendjen një postim në Instagram, në të cilin shkruhej: “Në familje hispanike, nëse ti qesh përderisa ti je sëmurë, atëherë ti nuk je i/e sëmurë më”.
Me të parë këtë, këngëtarja shqiptare emri i vërtetë i së cilës është Bleta Rexha, e ripostoi atë në InstaStory, duke shkruar se kjo nuk ndodh vetëm në familjet hispanike – apo thënë më mirë familje spanjisht-folëse.
“E njëjta ndodh edhe me familjet shqiptare”, ka shkruar interpretuesja e hitit “I’m a mess”, ndërsa ka vënë një emoji të qeshur.
Rexha e cila është lindur e rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka treguar gjithmonë se është krenare me origjinën e saj dhe se është rritur në një kulturë shqiptare.
Familja nga babai e këngëtares ka prejardhje nga Dibra e Madhe në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë ajo e nënës nga Gostivari.