Në Kosovë ka filluar dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19.
E për këtë, qytetarët do të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit.
Por jo vetëm për kosovarët, e njëjta vlen edhe për shtetasit e huaj, të cilët nuk kanë dokumente të Kosovës.
Ata nuk kanë nevojë të bëjnë termine për t’u vaksinuar, mjafton që të kenë një dokument identifikimi.
Kështu thonë për Front Onlinë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Edhe qytetarët e huaj vaksinohen njëjtë sikurse kosovarët në Kosovë. Nuk kanë asnjë pengesë, mjafton të kenë dokumente identifikimi. Njëjtë, sikurse edhe i qytetarëve, banorë të Kosovës”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se shtetasit e huaj mund të vaksinohen me dozë vijuese, edhe nëse atë parapraken e kanë marrë në një shtet tjetër.
“Po, shkojnë në qendrën e vaksinimit më të afërt në Kosovë dhe e marrin dozën vijuese, varësisht cilën e kanë në radhë, sipas procedurave të rregullta të vaksinimit”, deklaruan nga MSH-ja.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi 1 milion e 500 mijë doza të vaksinës.