Lira turke shënoi rritje të vlerës prej 15 për qind të martën, duke e vazhduar rimëkëmbjen historike pas rekordit të shifrave të ulëta, pasi Presidenti Rexhep Erdogan publikoi një plan për të cilin tha se do t’i garantojë depozitat e valutës vendëse kundër luhatjeve të tregut.
Valuta u forcua të martën në mëngjes, pas orës gjashtë, duke u tregtuar me 11.09 njësi për një dollar amerikan, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Në një fjalim të mbajtur të hënën vonë, presidenti turk tha se një varg hapash do ta lehtësojnë barrën mbi valutën dhe do t’i inkurajojë turqit që të mbajnë kursime në lira e jo në dollarë.
Ai nuk dha hollësi për atë se si qeveria do ta financojë nismën potencialisht të shtrenjtë dhe inflacioniste.
Megjithatë, para njoftimit të tij, lira pësoi rënie prej 10 për qind dhe ra në nivelin më të ulët historik, duke u tregtuar me 18.4 njësi për një dollar.
Shoqata e Bankave Turke tha se rreth 1 miliard dollarë u shitën në tregje pas njoftimit të presidentit turk. Sipas llogaritjeve të tre punëtorëve bankarë, rreth 1 deri 1.5 miliard dollarë kursime u këmbyen në lira të hënën në mbrëmje.
Lira ka rënë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave këtë vit për shkak të frikës rreth planit të qeverisë për uljen e shkallës së interesit dhe vetëm muajin e kaluar humbi rreth 40 për qind të vlerës.
Përderisa qeveria e ka cilësuar fitore të madhe rimëkëmbjen e lirës, ekonomistët e kanë quajtur të pamatur planin ekonomik qeveritar të mbështetur në shkallë të ulët të interesit dhe kanë thënë se inflacioni, që tash për tash është mbi 21 për qind, do të shkojë në 30 për qind vitin e ardhshëm.