“Albin Kurti i Kilit”, një kroat fiton zgjedhjet dhe bëhet president i shtetit latin

Majtisti Gabriel Boriq do të bëhet presidenti i ri i Kilit, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale që u mbajtën dje. Bazuar në numërimet nga 99.5% të votave, Boriq ka fituar 55.87% të votave, kundër kandidatit të djathtë, Jose Antonio Cast që ka fituar 44.13% të votave.

Pas fitores së shpallur, ai tha se do të luftojë kundër projekteve të dëmshme për mjedisin, ndër të cilat janë minierat e bakrit dhe arit.

“Duke shkatërruar botën, ne po shkatërrojmë veten. Ne nuk duam më projekte që po shkatërrojnë vendin tonë, komunitetin tonë,” tha ai.

Kundërshtari Kast pranoi humbjen të dielën mbrëma dhe përgëzoi presidentin e ardhshëm me origjinë kroate.

Boriq do të jetë presidenti më i ri në historinë e Kilit dhe, siç shkruan “New York Times”, më liberali pas Salvador Allendes. Babai i tij, Luis Borić, është pasardhës i drejtpërdrejtë i një mërgimtari kroat nga ishulli Ugljan, ndërsa nëna e tij është nga një familje spanjolle-katalane.

Sipas vendasve, në shtëpinë e vjetër të familjes Boriq kanë jetuar tre vëllezër. Dy shkuan në Kili, një qëndroi në Ugljan.

Rruga politike e Gabriel Boriçit filloi me një angazhim modest në organizatat studentore dhe është e ngjashme me atë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai dukej para masave si një tjetër udhëheqës studentor i frymëzuar nga Che Guevara.

Pas dy mandatesh në Kongres, ai arriti të bëhej kandidat i së majtës, por ambiciet e tij nuk u ndalën me kaq. Ai do të jetë personi i parë më origjinë nga Evropa që do udhëheqë shtetin latin.