Presidenti i FIA-s: Verstappen pati fat në garën e fundit, por a pati fat në Angli apo Hungari?

Jean Todt, i cili nga nesër nuk do të jetë më Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), i bëri një përmbledhjes sezonit që sapo u mbyll në Formula 1.

“Max Verstappen pati fat në Abu Dabi, është e vërtetë. Por, a pati ai fat në Silverstone? A pati fat në Baku? A pati fat në Hungari? Është njerëzore që pilotët, kur janë duke pilotuar, të mendojnë se komisarët e pistës marrin vendime kundër tyre, por ju siguroj që komisarët nuk e kanë personale me asnjërin prej pilotëve”, tha Todt.

Francezi pranoi gjithsesi se ka pasur gabime nga komisarët në disa gara: “Nuk janë perfektë, askush nuk është perfekt. Për këtë arsye ne kemi vendosur që t’i kthehemi çdo polemike që ka pasur gjatë sezonit dhe të përmirësojmë vendimet në të ardhmen. Duhet të jemi perfektë, pasi F1 është bota e perfeksionit”, shkruan a2.

Në fund, Jean Todt tha qartë se Verstappen ishte piloti që e meritonte titullin kampion.

“Hamilton është kampion i madh, kishte makinën më të mirë, por kësaj radhe, Verstappen fitoi 10 gara. Skuadra më e mirë ishte Mercedesi, piloti më i mirë ishte Verstappen”.