Policia zbulon një laborator droge në Shkabaj të Obiliqit

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë arritur të gjejnë sot një laborator droge në Shkabaj të Obiliqit.

Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria e Prishtinës me anë të një komunikate për media.

Prokuroria gjithashtu ka bërë të ditur se në atë vend janë gjetur e sekuestruar edhe 700 bimë narkotike të kanabisit në gjatësi prej 2 metrash.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se ka udhëhequr sot një aksion në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ashtu që me aprovim të gjykatës kompetente, nga bastisja e kryer në Shkabaj të komunës së Obiliqit, në bodrumin e shtëpisë e të dyshuarit është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike dhe janë gjetur e sekuestruar rreth 700 bimë narkotike të gjatësisë mbi 2m, të llojit kanabi”, thuhet në njoftim.

Në këtë çështje penale, prokurori i shtetit ka aplikuar masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, me ç’ rast me aktvendim të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve dy (2) persona të dyshuar, për shkak të veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 lidhur me nenin 275 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndaj të dyshuarve, prokurori i shtetit do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme procedurale.