Megjithatë Donika Gërvalla shkon në Luginën e Preshevës

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se i është ndaluar vizita në Luginën e Preshevës, ministres Donika Gërvalal Schwarz.

Megjithatë ajo sot njoftoi se do të zhvillojë vizitën e saj atje.

“Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë”, tha Gërvalla, transmeton lajmi.net.

Ministrja theksoi se vizitën e saj do ta fillojë në Bujanoc, ndërsa gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Preshevë.

“Së bashku me prof. Rexhep Gjergjin jemi nisur drejt Bujanocit, ku do të takohemi fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë.Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë”.