Blerim Latifi: Kryeministri duhet të ballafaqohet me krizën energjetike në Kosovë

Analisti Politik, Blerim Latifi ka folur për krizën e energjisë elektrike nëpër të cilën po kalon Kosova, duke theksuar se nuk duhet ti qasen me teorinë e sabotimit.

Madje, ai tha se kryeministri e ka vullnetin e duhur për t’u ballafaquar racionalisht me këtë krizë, dhe gjëja e parë që duhet të bëj është t’ua tregojë derën të gjithë atyre që i shkojnë në zyrë me tregime dhe teori sabotazhi.

Njoftimi i plotë:

Budallakia ma e madhe që një qeveri mund ta bëj kur ballafaqohet me probleme të tilla si kriza energjetike, nëpër të cilën po kalojmë, është t’i qaset asaj me teorinë e sabotimit. Ideja se ne jemi në rregull, por dikush në sistem është duke na sabotuar në mënyrë të fshehtë, është ide e rrezikshme, me karakter totalitar, që nuk shpie askund tjetër përveçse në gjueti shtrigash. Nëse kryeministri e ka vullnetin e duhur për t’u ballafaquar racionalisht me këtë krizë, gjëja e parë që duhet të bëj është t’ua tregojë derën të gjithë atyre që i shkojnë në zyrë me tregime dhe teori sabotazhi. Teoritë e sabotazhit na duken joshëse, sepse ato na shfajësojnë nga përgjegjësia jonë për një problem që ka shpërthyer në sistem, por përtej joshjes ato janë të destinuara të mos zgjidhin asgjë, por vetëm t’i mbulojnë disa probleme duke i krijuar disa të tjera.