“Lajm i mirë për Serbinë, faleminderit Evropë”, thotë Vuçiq pas hapjes së kapitujve me BE-në

Në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Serbia hapi në Bruksel, më 14 dhjetor negociatat për një bllok kapitujsh.

Në konferencën ndërqeveritare është hapur blloku 4, që ka të bëjë me politikën e transportit, energjisë, rrjeteve trans-evropiane, mbrojtjen e ambientit dhe ndryshimet klimatike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë lajm e ka quajtur si një sukses të rëndësishëm pë Serbinë, raporton Tanjug.

“Urime qytetarëve të Serbisë, sepse ata janë më meritorët për reformat që kemi bërë në periudhën e kaluar”, ka thënë Vuçiq në një video-mesazh të postuar në Instagram.

“Sukses i madh dhe i rëndësishëm për vendin tonë. Shumë faleminderit edhe për Ursula von der Leyen, por edhe për të gjitha shtetet anëtare”.

Vuçiq tha se po i kërkon Qeverisë së Serbisë që të vazhdojë që të përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit, por edhe në të gjitha fushat për të cilat ai ka folur.

“Serbi, kur jemi të bashkuar, kur jemi të gjithë bashkë, kur luftojmë për vendin tonë, gjithmonë mund të arrijmë gjithçka. Rroftë Serbia dhe përpara drejt së ardhmes”, tha Vuçiq.