Komisioni i Venecias, në opinionin e saj për Projektligjin për Këshillin Prokurorial pas seancës plenare të së premtes, i ka rrëzuar dispozitat kryesore të përgatitura nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë. Nga ky komision kanë thënë se plani për reformën në Këshillin Prokurorial është i rrezikshëm për shkak të implikimit me politikën.
Në pjesën e përfundimeve, ky Komision thotë se “reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në mazhorancën qeverisëse. Projekt-amendamentet [të Ministrisë së Drejtësisë] propozojnë që të gjithë anëtarët të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK dhe duhet rishqyrtuar”.
“Zgjedhja me shumicë të thjeshtë duhet të zëvendësohet me një sistem zgjedhor proporcional, ose emërimi i disa anëtarëve përbërës të bëhet nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile. Ai – 15 – CDL-AD(2021)051 është i nevojshëm për të siguruar që komponenti përbërës i KPK të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse të mos mund të qeverisin të vetëm”, propozon tutje Komisioni i Venecias.
Organi që interpreton dhe këshillon mbi probleme rreth demokracisë dhe ligjit në kuadër të Këshillit Europian, i konsideron të panevojshme propozimet e përgatitura nga Qeveria e Kosovës për ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial.
Komisioni i Venecias e vë në pikën e parë të rekomandimeve çështjen e kryeprokurorit, që sipas opinionit, duhet të jetë anëtar i KPK-së.
Të rrezikshme për pavarësinë e Prokurorisë Komisioni i Venecias i cilëson edhe dispozitat që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve të KPK-së.
“Dispozitat kalimtare që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve aktualë të KPK-së, dhe duke lejuar KPK-në e ripërtërirë të funksionojë vetëm me anëtarët e pavarur në përbërjen e saj, janë të rrezikshme për pavarësinë e prokurorisë dhe duhet rishikuar. KPK-ja e re mund të fillojë të funksionojë vetëm kur të gjithë anëtarët janë zgjedhur”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.
“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në parashtresat e saj, është zotuar se do ta rishikojë propozimin për përbërjen e KPK-së dhe se do të largohet nga ideja për funksionalizimin e KPK-së pa praninë e anëtarëve të Prokurorisë, si dhe ndryshimin e çështjeve të tjera”, thuhet në fund të dokumentit.