Kurti thotë se korrupsioni po pengon investimet: S’do të ketë dosje të pluhurosura në gjykata

Këshilli i Investitorëve Evropian ka publikuar dokumentin “White Book”, me rekomandime nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Kryeministri Albin Kurti, tha se pengesa më e madhe për tërheqjen e investimeve është korrupsioni në prokurimin publik.Ai me këtë rast u zotua për angazhim konkret në mënyrë që mos të ketë dosje të pluhurosura nëpër gjykata, por trajtim të duhur e në kohë.

“Pengesa më e madhe për tërheqjen e investimeve është korrupsioni në prokurimin publik. Rritja e investimeve do të ishte mënyrë efektive për ta transformuar ekonominë tonë. Një sektor që ka pasur rritje është ai i shërbimeve të teknologjisë. Nga vlerësimet në këtë libër shihet se Qeveria ka trashëguar qeverisje jo të mirë. Vlerësimi për 63% është se nuk ka progres. Andaj kemi shumë punë për të bërë. Por mund të themi se ka shpresë për të përmirësuar mjedisin e biznesit. 9.9% rritje ekonomike ka paralajmëruar Banka Qendrore për këtë vit. Njerëzit paguajnë më shumë taksa kur e dinë se Qeveria nuk keqpërdor. E kemi dhe gjykatën komerciale që angazhohet që të mos kemi dosje të pluhurosura, por do të trajtohen me drejtësi.Pra do ta kemi dhe më tej ekonominë e tregut. Por duhet të kalojmë te kryefjala investim. Tash kemi nevojë për investime që rrisin punësimin. Ne po punojmë për parandalimin e korrupsionit. Tani jemi në proces të draftimit të Ligjit të prokurimit publik. Jemi shtet me resurse të kufizuara. Shpresojmë për dialog të mirëfilltë publiko-privat”.

Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve tha se sundimi i ligjit mbetet sfidë për institucionet dhe se ndryshimet ligjore janë mëse të nevojshme.

“Kemi aprovimin e Ligjit për sektorin bankar dhe ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm që ne si Këshill kemi bërë gjatë kësaj periudhe Ligji edhe për konkurrencë. 7 parimet bazë të Librit të Bardhë janë përmasimi i të bërit biznes, sundimi i ligjit që ka shqetësuar çdo individ edhe te sektori privat, fuqizimin e sundimit të ligjit, identifikimin e barrierave, zvogëlimi i riskut”.

“Prandaj Libri i Bardhë e ka qëllimin t’i eliminojë këto barriera. Reformat në sistemin tatimor është shumë e rëndësishme dhe na gëzon fakti që ka progres gjatë këtij viti”.Afrore Rudi, anëtare e Bordit të Këshillit, tha se qëllim duhet të jetë që Kosova të bëhet vend atraktiv për tërheqjn e investimeve dhe për këtë janë duke e nidhmuar Qeverinë, raporton EO.“… qëllimi është të bëjë Kosovën tërheqëse për biznese të reja. Anëtarët e këtij Këshilli janë të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Dëshirojmë të përkrahim Qeverinë që të krijojmë mjedis për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”.

“Në 10 vjetët e fundit ka pasur përparim por ende ka punë për të bërë që ta bëjmë Kosovën ndër vendet më të mira në rajon duke tërhequr biznese të reja”.Anna Carin Platon, shefe e Politikës, Ekonomisë dhe pjesë e Seksionit për Integrim Evropian në Zyrën e BE-së tha se Këshilli i Investitorëve është bërë adresë kryesore për investitorë të ardhshëm në Kosovë.

“Më e rëndësishmja është që ky publikim shërben për Qeverinë në pengesat që hasin investohet gjatë të bërit biznes në Kosovë. Qeveria duhet t’i shtyjë reformat e nevojshme ekonomike. BE-ja është investitori më i madh dhe tregtar në Kosovë. Në anën tjetër Kosova përkrahë investitorë të vet për ringjallje ekonomike. Po punojmë me Qeverinë në planin e veprimit për Kosovën”.“Besojmë që zhvillimi i sektorit privat është çështje e rëndësishme. Përderisa sektori privat mund të krijojë pasuri Qeveria duhet të ofrojë siguri ligjore”.