Ylli amerikan bëhet producente e “Zgjoi”, do ta udhëheqë kampanjën për Oscar

Aktorja Elizabeth Moss si dhe producentja Lindsey McManus janë bërë producente ekzekutive të filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit.

Ndër të tjera, kjo do të thotë se ato do ta udhëheqin kampanjën e këtij filmi për çmimin Oscar për filmin më të mirë të huaj.

“Zgjoi” është filmi më i suksesshëm kosovar deri tash, duke fituar mes shumë çmimesh tjera, edhe atë të filmit më të mirë në festivalin prestigjioz të filmave të pavarur, “Sundance”.

Moss është aktore tejet e dëshmuar në ekranin e vogël amerikan, duke fituar çmimet më të vlefshme për punën e saj, si Emmyn dhe Globin e Artë.

Këtë lajm e ka publikuar “Deadline”, si dhe të njëjtin e ka shpërndarë vetë Basholli në profilin e saj në Facebook.