Llapi mposht Prishtinën në kohën shtesë

Llapi ka arritur që në minutat shtesë të ndeshjes t’ia shënojë golin e tretë për tri pikë të plota skuadrës së Prishtinës.

Skuadra e Tahir Batatinës arriti që për dy minuta në pjesën e parë, konkretisht në minutat 24 dhe 26  t’ia shënojë Prishtinës dy gola për t’i dhënë epërsi komode.

Golin e parë në favor të Llapit e shënoi Benet Ismaili i cili shënoi në portën e tij, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, Llapit epërsinë e dyfishtë ia dha meksikani Franciso Rivera.

Epërsinë e llapjanëve e ngushtoi Arlind Shabani i Prishtinës i cili shënoi në minutën e 43-të të takimit.

Kurse, pas një ore lojë, rezultati u barazua nga Sabien Lilaj i cili shënoi për 2-2 në minutën e 62-të të takimit.

Kur u mendua se ndeshja po mbyllej me rezultat 2-2, Kushtrim Shabani arriti që ta shfrytëzoj goditjen e kthyer nga portieri i Prishtinës për t’i dhënë epërsinë Llapit.

Kjo ishte ndeshja e fundit e stinorit vjeshtor në BKT Superligën e Kosovës. Llapi me këtë fitore ka arritur që ta mbajë hapin për luftën për titull ku ka 29 pikë e që është në vendin e katërt, ndërsa Prishtina gjendet në pozitën e pestë me 24 pikë.