Paralajmëron ministri i Shëndetësisë: Duhet të jemi gati për secilin skenar rreth COVID-19

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka qëndruar të shtunën në mëngjes në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku me drejtuesit e klinikës dhe personelin aty ka bashkëbiseduar për sfidat dhe trajtimin e pacientëve në këtë klinikë.

Nëpërmjet një komunikate për medie nga MSh kanë thënë se ministri Latifi ka falënderuar personelin e Klinikës Infektive dhe të klinikave të tjera si dhe gjithë personelin shëndetësor të Kosovës për punën e madhe të bërë në trajtimin dhe menaxhimin e pacientëve me COVID-19 dhe post covid dhe i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet në bazë të të dhënave të fundit shkencore për të gjithë qytetarët që trajtohen aty.

“Angazhimi juaj dhe i kolegëve në klinikat dhe spitalet e tjera ka bërë që Kosova, përkundër resurseve të kufizuara në shëndetësi dhe ka një sistem të brishtë shëndetësor, të shpëtohen mijëra jetë. Këtë do ta vlerësojnë çdo herë qytetarët tanë”, tha Ministri Latifi.

Ai tha se MSh dhe SHSKUK do të vazhdojnë të forcojnë kapacitetet me qëllim që shërbimet të jenë të mobilizuara për çfarëdo skenari të mundshëm të zhvillimit të situatës epidemiologjike, pasi që situata megjithatë mbetet e brishtë, për shkak të pranisë së variantit Delta dhe Delta plus dhe rreziqeve edhe nga variant Omicron.

“Duhet të jemi gati për secilin skenar, me kapacitete njerëzore të përgatitur e të motivuar, shtretër të mjaftueshëm spitalor në dispozicion, me terapi dhe protokolet e fundit klinike të bazuara në të dhënat shkencore në dispozicion”, tha Ministri Latifi.

Në këtë takim, Ministri ka inkurajuar personelin shëndetësor që të vaksinohen me dozën përforcuese, duke qenë se janë vija e parë e frontit në betejën me COVID-19 dhe, gjithashtu, popullata u beson profesionistëve shëndetësor dhe se popullata ndjek shembullin e tyre.

Ministri Latifi, pas vizitën në Klinikën Infektive, ka vijuar me vizitën në Prizren, Gjakovë dhe Klinë, për të parë sfidat në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 dhe për të motivuar një vaksinim më dinamik të qytetarëvë në ato komuna.