Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës, ka bërë të ditur se inspektorët komunal, gjatë këtij muaji do të jenë në inspektim të vazhdueshëm të marketeve ushqimore dhe sektorit të gastronomisë, për sigurinë e ushqimit në këta sektorë, në prag të festave të fund vitit dhe ardhjes së mërgimtarëve, ku si rezultat rritet edhe konsumi.
Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Dibran Kastrati, ka bërë të ditur se inspektorët janë duke bërë inspektime në të gjitha marketet ushqimore, si dhe në sektorin e gastronomisë, me qëllim të kontrollit për siguri të produkteve ushqimore, si kontrolli i skadimit të afatit të produkteve dhe mbajtja e tyre në vende të sigurta.
“Inspektimi do të jetë i vazhdueshëm, pasi festat e fund vitit dhe ardhja e mërgimtarëve, e rritë e konsumin, por pavarësisht inspektimit, kërkojmë edhe nga ana e konsumatorëve që të bashkëpunojnë me inspektoratin, dhe nëse haset në ndonjë produkt të dyshimtë për konsum, të njoftojnë inspektorët, pasi kjo na ndihmon të kemi siguri në produktet që i konsumojmë”, ka thënë drejtori Kastrati, duke kërkuar bashkëpunimin me konsumatorët.
“Shëndeti është mbi të gjitha, prandaj do të angazhohemi maksimalisht, që të kemi produkte ushqimore të sigurta në treg”, ka thënë Kastrati.