Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Muharrem Zymberit, babait të heroit Enver Zymberi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Muharrem Zymberi, i cili ishte edhe veteran lufte dhe i burgosur politik, u kujtua nga Kryeministri Kurti si njeri i dashur, bujar, punëtor, i guximshëm e i qëndrueshëm.
“Në burg ishte i pathyeshëm dhe të gjithë që e kanë njohur, kanë marrë forcë prej tij. Pavarësisht se nuk dihej çka do të ndodhë të nesërmen, buzëqeshja dhe trimëria, në asnjë situatë nuk i kanë munguar Muharrem Zymberit”, tha kryeministri, duke folur për kohën kur të dy ishin të burgosur politik, në Burgun e Pozharevcit, njofton kryeministria.
Ai tha se janë pikërisht njerëzit si Muharrem Zymberi, që e shtyjnë përpara edhe shtetin e Kosovës dhe kombin shqiptar.
“Tash jemi këtu pranë varrit edhe të Enverit edhe të Muharremit dhe padyshim se te kjo familje, e cila i dha shumë edhe luftës edhe paqes, do të rikthehemi përherë, për shkak se i kemi obligim e borxh për kontributin e tyre”, tha mes tjerash kryeministri.