Kryeministri britanik Boris Johnson dhe gruaja e tij Carrie, kanë njoftuar lindjen e fëmijës së tyre të dytë, një vajzë.
Një zëdhënëse e çiftit përmes një deklarate tha se ‘’kryeministri dhe zonja Johnson janë të lumtur të njoftojnë lindjen e një vajze të shëndetshme në një spital në Londër më herët sot’’.
“Si nëna dhe vajza janë shumë mirë. Çifti dëshiron të falënderojë ekipin e shkëlqyer të maternitetit të NHS për të gjithë kujdesin dhe mbështetjen e tyre”, thuhet mes tjerash në deklaratën e saj, shkruan skynews.
Ata nuk kanë treguar nëse vogëlushes i kanë vendosur emrin ose jo.
Deri para pak kohësh, kryeministri britanik, 57-vjeçar, nuk pranonte t’i përgjigjej pyetjeve se sa fëmijë kishte.
Por në shtator, ai u tha NBC-së se kishte gjashtë fëmijë, duke shtuar tashmë edhe fëmijën e tij të shtatë.
Ai ka katër fëmijë me ish-bashkëshorten Marina Wheeler, një fëmijë i lindur në vitin 2009 si rezultat i një lidhjeje me konsulenten e artit Helen Macintyre, dhe tani dy fëmijë me gruan e tij aktuale.