Shala takon përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala dhe Këshilltari i Lartë dhe Shefi i Kabinetit të Ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, kanë takuar përfaqësuesit e lartë të BE-së në Bruksel, Vassilis Maragos, Jan Petry dhe përfaqësues të tjerë të DG NEAR dhe DG JUST.

Në këtë takim i cili u zhvillua në kuadër të takimit të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, u diskutua për reformën në Drejtësi dhe procese të tjera të rëndësishme.

Fokus të veçantë në diskutim kishte reforma ligjore në sistemin prokurorial dhe vettingu në sistemin e drejtësisë. Palët konfirmuan që ndajnë objektiva të përbashkëta në kuadër të reformës në drejtësi dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, dhe në domosdoshmërinë për ndërmarrjen e hapave për të garantuar drejtësi efikase dhe të pavarur si dhe për të rritur llogaridhënien dhe besimin në sistemin e drejtësisë.