Seanca gjyqësore në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt ka përfunduar më herët për shkak të problemeve teknike në Dhomat e Specializuara. Pas pauzës ishte paraparë të vazhdojë dëshminë ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se për shkak të vështirësive për video-lidhje mes sallës së gjyqit dhe njësisë së paraburgimit në Hagë, seanca do të vazhdojë nesër.
Derisa Hysni Gucati ka dëshmuar në sallën e gjyqit, Nasim Haradinaj e ka ndjekur seancën në distancë për shkak të infektimit me koronavirus. Por, në pjesën e fundit të seancës, janë shfaqur probleme teknike dhe Haradinaj nuk ka mundur të përcjellë gjykimin.
Meqë Dhomat e Specializuara nuk kanë arritur të rivendosin lidhjen, seanca pritet të vazhdojë nesër.
E ish-kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati e ka vazhduar dëshminë e tij për ditën e dytë me radhë ku ndër të tjera ka thënë se zyrtarët e organizatës së veteranëve nuk kanë publikuar emra apo deklarata të dëshmitarëve të cilat mund të kenë qenë në dokumentet e sekuestruara në zyrat e OVL-UÇK-së.
Ai ka thënë se kanë synuar që të dëshmojnë se Gjykata Speciale bashkëpunon me Serbinë, çka sipas tij është treguar në dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.