Azemi-Kurtit: S’mund të vendosësh kush na udhëheq, përmbushi premtimet e fushatës

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e konsideron të gabuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj sindikatave.

Ai thekson se Qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë në organizimin e sindikatave.

Jusufi tha se tendenca e Kurtit për të kontrolluar sindikatat e dëmton edhe reputacionin e Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga kryeministri t’i përmbushë premtimet që iu ka dhënë në fushatë.Azemi shpreson që do të aprovohen kërkesat e tyre deri javën tjetër, ndryshe paralajmërojnë se do të ketë greva e protesta.

“Mendoj që në rastin konkret zotëri Kurti ka bërë një gabim pasi që në nivel të Kosovës e kemi Ligjin mbi organizimin sindikal. Ligj i cili sanksionon qartë se kush mund të jetë pjesë përbërëse e këtij ligji dhe kush jo. Qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë e askush tjetër që të ndërhyjë në organizimin në caktimin e personave në shkarkimin e tyre. Janë vetëm punëtorët ata që i zgjedhin dhe i shkarkojnë”.

“Është bërë një gabim që jo vetëm që do të dëmtojë sindikata, por do të dëmtojë edhe reputacionin e Kosovës dhe shpresoj se ky do të tërhiqet nga ajo çka e tha. Përkundrazi nuk do të reflektojë asnjë masë negative te udhëheqësit sindikal. Ne jemi pothuajse gati për çdo javë duke bërë protesta. Ne po kërkojmë nga Kurti atë që ka premtuar gjatë kohës sa ka qenë në fushatë zgjedhore dhe përderisa shpeshherë na qesin në një teren se gjoja se ne paguhemi nga dikush tjetër asgjë nuk kemi kërkuar më shumë vetëm atë çka ka premtuar kryeministri dhe kjo duhet të realizohet”.

“Ai duhet t’i njoftojë punëtorët që iu ka premtuar 350 euro dhe t’iu thotë se këto paga do të jenë gati në janar. Por po shihet se nuk është duke realizuar. Çdo herë po i japim përparësi dialogut social sepse sado që do të bëjmë protesta e greva ne prapë se prapë jemi të obliguar të ulemi në tavolinë sepse jemi partner dhe këto probleme të cila t’i kemi mund t’i zgjedhë vetëm Qeveria dhe sindikata”, tha ai, raporton EO.

“Nëse ne vetëm këmbëngulim që të dy palët të barrikadohemi atëherë këtu humbim që të gjithë. Megjithatë si pjesë përbërëse për ta ulë kryeministrin e Kosovës ne duhet t’i shfrytëzojmë edhe veprimet sindikale që na lejon ligji. Në vazhdimësi jemi duke këmbëngulë për kërkesat tona për protesta edhe greva. Dashtë Zoti të mos hyjmë në grevë javën tjetër përndryshe ne vetëm kemi paralajmëruar se së paku duhet që kërkesat tona t’i aprovojnë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para dy dite në konferencën për medie ka kërkuar që të ndërrohet udhëheqësi e sindikatave në Kosovë.