Pesë ministra dhe një zv. ministre: Kush do ta shoqërojë Kurtin sot në Bruksel

Në Bruksel, sot do të mbahet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Delegacionin e Kosovës do ta udhëheqë kryeministri, Albin Kurti, kurse në atë të BE-së do të jetë shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Në delegacionin e Kosovës, përveç Kurtit do marrin pjesë: zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Kurti pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli.