283 raste të korrupsionit presin verdiktin e gjykatave, për gjashtë muaj u zgjodhën 57 lëndë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shpalosur të gjeturat e raportit të monitorimit: “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë për periudhën Prill-Shtator 2021”.

Në raport përfshihet rrjedhshmëria e rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave në gjykatat e vendit, dhe çështjet që e karakterizuan sistemin gjyqësor e prokurorial këtë periudhë.Gjatë periudhës prill-shtator, numri më i madh i rasteve të zgjidhura nëpër gjykatat në nivel vendi i takon veprave penale të natyrës korruptive me gjithsej 57 raste të zgjidhura ndërkaq që rezultatet janë dukshëm më të vogla kur flasim për krimin e organizuar dhe shpëlarjen e parave.

Ndërkaq që edhe më tutje si shqetësuese mbetet numri i madh i rasteve të korrupsionit që presin verdikt final në gjykatat themelore në nivel vendi, numër ky i cili shkon në 283 raste.

Rreze Hoxha-Zulaj nga GLSP, tha se gjatë kësaj periudhe të raportimit sistemin gjyqësor sikurse edhe në periudhat e kaluara të raportimit, e karakterizoi numri më i madh i lëndëve të zgjidhura të natyrës korruptive, ndërkaq që rezultatet janë të vogla në raport me lëndët e krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.Sipas saj, ajo që e karakterizoi këtë periudhë të raportimit ishte respektimi në vazhdimësi i vendime të KGJK dhe KPK nga ana e gjykatave në drejtim të mbarëvajtjes së seancave gjyqësore nëpër gjykatat në nivel vendi, të cilat vendime ishin në përputhje edhe me vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Ajo më tej shtoi se si rezultat pozitiv gjatë kësaj periudhe është shënuar rritja e shqiptimit të dënimeve plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi për veprat penale të natyrës korruptive, për të cilat Drejtësia Sot ka rekomanduar në vazhdimësi.

Sipas saj, është mjaft shqetësuese fakti i mospërputhjes të të dhënave në mes të gjykatave dhe prokurorive në nivel vendi.“Një rrethanë e tillë gjatë përpilimit të këtij raporti është vërejtur më së shumti në të dhënat e pranuara nga ana e gjykatave dhe numrin e aktakuzave të ngritura nga ana e Prokurorive”.

Drejtësia Sot gjatë monitorimi të kësaj periudhe ka gjetur se:

KGJK-në e karakterizoi zgjedhja e Kryesuesit të ri të këtij institucioni, zgjedhja e anëtarëve të KGJK nga gjyqësori, zgjedhja e kryetarëve të gjykatave themelore dhe gjyqtarëve mbikqyrës, dhe një menaxhim mjaft i mirë me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19. Aspekte mjaft pozitive nga ky institucion u treguan në raport të transmetimit të mbledhjeve në ueb portalin e tyre, si dhe publikimi i vendimeve disiplinore të marra nga ana e Gjykatës Supreme pas ankesave të parashtruara nga subjekti i procedurës disiplinore për të cilat Drejtësia Sot ka raportuar më herët.Ndërkaq që KPK-në e karakterizoi themelimi i grupeve punuese për hartimin e akteve nënligjore, Raportimi i Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, rishpallja e konkursit për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive themelore në Kosovë, emërimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe transferimi dhe avancimi i prokurorëve të shtetit. Si një rrethanë pozitive në këtë periudhë konsiderohet bashkëpunimi i mirë i këtij institucioni me shoqërinë civile dhe konsultimet e vazhdueshme publike lidhur me draftimin e akteve nënligjore.

Gjatë periudhës prill-shtator 2021, numri më i madh i rasteve të zgjidhura nëpër gjykatat në nivel vendi i takon veprave penale të natyrës korruptive me gjithsej 57 raste të zgjidhura ndërkaq që rezultatet janë dukshëm më të vogla kur flasim për krimin e organizuar dhe shpërlarjen e parave.

Pas analizimit të vendimeve të shqiptuara nga ana e gjykatave në nivel vendi, Drejtësia Sot e sheh si një shenjë shumë pozitive shqiptimin e dënimeve plotësuese në drejtim të veprave penale të natyrës korruptive, për të cilën edhe është rekomanduar në vazhdimësi. Një tjetër çështje e cila duhet mirëpritur nga ana e gjykatave në nivel vendi është edhe detyrimi për kompesimin e dëmit palëve të dëmtuara në procedurë penale, shumë kjo e cila për këtë periudhë të raportimit arrin rreth 55 mijë euro.

Ndërkaq që edhe më tutje si shqetësuese mbetet numri i madh i rasteve të korrupsionit që presin verdikt final në gjykatat themelore në nivel vendi, numër ky i cili shkon në 283 raste.Drejtësia Sot e sheh si shqetësuese joefikasitetin e gjykatave në trajtimin e lëndëve të krimit të organizuar. Sipas të dhënave të paraqitura në raport rezulton se GjTh në Prishtinë, ajo e Pejës dhe e Mitrovicës mbeten edhe më tutje gjykatat e vetme në vend të cilat trajtojnë lëndë të krimit të organizuar. Për Drejtësia Sot është mjaft shqetësuese fakti se GjTh në Pejë dhe ajo në Mitrovicë ende nuk kanë arritur të zgjidhin asnjë lëndë të kësaj natyre të cilat mbesin aktive pranë këtyre gjykatave, respektivisht gjykata e Mitrovicës me 16 sosh ndërkaq ajo e Pejës me 2 raste.

Dy aktgjykimet e vetme të marra nga GjTh në Prishtinë në kuadër të krimit të organizuar u shqiptuan për vepra penale tjera.Situatë të ngjashme kemi edhe me rastet e shpërlarjes se parave të cilat momentalisht trajtohen nga GjTh në Prishtinë dhe ajo në Prizren. Edhe këtë periudhë të raportimit e karakterizoi një efikasitet i dobët në drejtim të zgjidhjes së këtyre rasteve, i cili krahasuar edhe me periudhat e kaluara të raportimit gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Edhe më tutje një rast i tillë është aktiv në GjTh në Prizren ndërkaq që edhe 8 raste presin trajtim nga GjTh në Prishtinë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë morri aktgjykim lirues në rastin e vetëm të zgjidhur.

Drejtësia Sot gjatë kësaj periudhe ka dërguar një mori kërkesash për qasje në dokumente publike, kërkesa këto të cilat jo çdoherë kanë rezultuar me sigurimin e informatës nga ana e institucioneve gjyqësore e prokuroriale. Stagnim në sigurim të informacionit ka treguar GjTh në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit.Kur flasim për shkeljet procedurale të evidentuara gjatë kësaj periudhe të raportimit edhe më tej sikurse në periudhat e kaluara mbizotorojnë shkelje në raport me mosrespektimin e afateve për caktimin dhe mbajtjen e seancave gjyqësore.

Shkelje të tilla janë evidentuar pothuajse në të gjitha gjykatat në nivel vendi. Të tilla shkelje kanë të bëjnë më moscaktimin në kohë të seancës fillestare dhe moscaktimin në kohë të seancave të shqyrtimit gjyqësor. Shkelje të tjera të evidentuara janë edhe shkelje me rastin e pranimit të fajësisë, shkelje të ligjit special, mosarsyetimi i vendimeve nga ana e gjykatave, tejkalimi i afatit për shpallje të aktgjykimit, shqiptimi i gabueshëm i dënimit plotësues, shkelje procedurale të prokurorisë, mosdorëzimi i materiale të lëndës, të cilat shkelje në mënyrë të detajuar janë paraqitur në raportin e monitorimit.