Ballkani ruan pozitën e liderit, Gjilani fiton me përmbysje

Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para në kuadër të javës së 17-të në BKT Superligë.

Ballkani ka shënuar fitore të vështirë si mysafir në duel me Drenicën, duke e ruajtur pozitën e parë në renditje.

Ndeshja në stadiumin “Bajram Aliu” u mbyll me rezultat 0:1. Golin e fitores për portokallezinjtë nga Suhareka e shënoi Bajram Jashanica në minutën e 50-të.

Ndërkohë, fitore tejet të rëndësishme me përmbysje të rezultatit ka shënuar Gjilani në shtëpi, duke e mundur Malishevën, me shifrat 3:1.

Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Hasan Hysenit, në minutën e 14-të. Mirëpo, gjërat ndryshuan në minutat e fundit të pjesës së parë, kur fillimisht Malisheva mbeti me 10 lojtarë pas përjashtimit të Muhamet Hysenit, derisa në minutat shtesë Gerhard Progni barazoi rezultatin në 1:1.

Në pjesën e dytë gjilanasit arritën ta përmbysin rezultatin me golat e Keita Razak (73′) dhe Albert Dabiqajt (81′).

Ndeshjet e tjera zhvillohen nesër.