Gjykta e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Mitrovicë ndaj 14 ish-policëve të akuzuar për marrje ryshfeti.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se Apeli ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.
Ndryshe, mbrojtësit e 14 ish-policëve të dënuar kishin kërkuar nga Apeli që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë të ndryshohet dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza ose që aktgjykimi të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim apo që gjykata t’iu shqiptojë dënim më të butë.
Kurse, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte kërkuar që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të larta me burgim efektiv dhe si rrethanë rënduese të merret fakti se kanë kryer vepra penale në kontinuitet kohor.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 6 prill 2021, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-zyrtarëve policorë Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala.
Në aktakuzë ishin të përfshirë Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq, Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme nga kundërvajtësit në trafik.
Shumat në fjalë thuhej se i kanë ndarë në mes tyre në pjesë të barabarta, e disa i kanë mbajtur për vete, me qëllim të mos shqiptimit të tiketave me gjobë për shkak të shkeljeve të dispozitave të Ligjit mbi Komunikacionin Rrugor.
Pas veçimit të procedurës, kjo seancë kishte vazhduar vetëm ndaj zyrtarëve të jugut. Gjykata me aktvendimin e datës 3 korrik 2017, kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.
Ndërkaq, ishte hudhur aktakuza ndaj të pandehurit Destan Rrecaj, si dhe kishte pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.
Me këtë, ish-zyrtarët policorë akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” , nga neni 428 par.1 lidhur me neni 31 dhe 81 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.