Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, tash nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku folur për pozicionin e PDK-së pas zgjedhjeve lokale 2021, për reformën në këtë parti dhe rolin e saj në opozitë. Çitaku ka folur edhe për qeverisjen e Albin Kurtit si dhe ka treguar se cilat janë dështimet e qeverisjes sipas saj.
Politika e jashtme, menaxhimi i pandemisë dhe dorëheqja e gjeneralit Rrahman Rama, sipas Vlora Çitakut, konsiderohen disa nga dështimet e Qeverisë së Kosovës.
Ajo u shpreh se rasti i Ramës është i paprecedentë.
“Ditëve të fundit pamë dorëheqjen e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Rrahman Rama. Është e paprecedentë që një situatë e tillë. Ka pasur edhe më herët që janë ndërruar, dikush ka shkuar në pension e dikush dika tjetër. Mirëpo të kërkohet nga komandanti i FSK-së që të shfrytëzoj asetet e FSK-së për operacione policore është shkelje e rëndë. Besoj që çdo gjë është bërë e qartë. Zotëri Rama e don Kosovën, është shërbyes i vyer publik, unë nuk pres që ai të flas. Ministri i Mbrojtjes ka kërkuar nga gjenerali Rama që t’ia jap në shfrytëzim asetet e FSK-së, për operacione policore”, tha Çitaku.
Sipas saj, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka qenë ai që i ka kërkuar gjeneralit Rama asetet e ushtrisë për operacione policore, çka ka sjellë deri në kërkesën për dorëheqje.
“Është shkelje flagrante e Ligjit, por edhe marrëveshjeve me partnerët ndërkombëtar, të cilët e kanë bërë donacionin. Për mua kjo ka qenë jashtëzakonisht shqetësuese sepse është prekur në integritetin e institucionit më kredibil dhe më profesional që ka ndërtuar Kosova në këto 20 vite. Këtë e ka bërë ministri Mehaj, sigurisht ai nuk ka vepruar vetëm, për këtë duhet të ketë përgjigje sepse është cenuar integriteti i institucionit më kredibil i Kosovës”, tha Çitaku.
Po ashtu, ish-ministrja e ambasadorja e Kosovës në ShBA, ka thënë se çështja e emërimit të ambasadorëve në shumë shtete të botës është abstenim nga ushtrimi i politikës së jashtme.
“E mora këtë si diçka më të freskët, sepse ne kemi pasur gjashtë muaj ambasada tona pa titullar. Ky është abstenim nga ushtrimi i politikës së jashtme. Ka pasur edhe situata të tjera, mirëpo nuk është detyra e opozitës vetëm të kritikoj. Nuk do ta marrim modelin e të bërit opozitë siç është bërë deri më tani. Ne e kemi paralajmëruar dhe këtë çështje e kemi të rregulluar edhe me statut. Do të formojmë kabinetin e qeverisjes së mirë, prej nga ne shpresojmë që Qeverisë aktuale, të jemi në gjendje të i ofrojmë jo vetëm kritikë, por edhe alternativë”, u shpreh Çitaku.
Ndërkaq, sa i përket menaxhimit të pandemisë, Çitaku tha se Qeveria nuk ka bërë sa duhet për tu dal në ndihmë qytetarëve të vendit tonë.
“Edhe ky vit ka qenë një vit i rëndë, është dominuar nga pandemia dhe pasojat që ka prodhuar ajo. Fatkeqësisht, këtu si referencë po i marrë vendet e rajonit, fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk ka bërë sa duhet që t’i dal në ndihmë jo vetëm sektorit publik, mjekëve, por edhe sektorit privat i cili është goditur jashtëzakonisht rëndë në këto dy vitet e fundit”, u shpreh ajo.
“Përderisa vendet e rajonit, kanë kaluar nga tri e katër pako të rimëkëmbjes ekonomike, ne mezi e kemi kaluar një e edhe ajo nuk është zbatuar në plotni. Kam qenë vet në Qeveri dhe nuk pres mrekulli nga askush, mirë është që edhe zotëri Kurti e ka parë që as ai nuk mundet me bo mrekulli. Jam racionale dhe dua të jem korrekte në kritikë, por është bërë shumë pak në shërbim të rimëkëmbjes ekonomike”, tha Çitaku.
Ndërkaq, e pyetur nëse partia në të cilën ajo është pjesë, ka kredibilitet që të bëj kritika duke qenë se ka udhëhequr Kosovën për një kohë të gjatë ajo u shpreh se qeverisja e PDK-së i ka pasur të mirat e saj, mirëpo tha se ka pasur edhe mangësi.
“PDK-ja nuk ka udhëhequr Kosovën nga 2007 me kryeministër deri në vitin 2014. Më herët ka qenë në opozitë. Kemi qenë në bashkëqeverisje, por nuk ka qenë vet. PDK-ja ka trashëgiminë e saj, aty ka edhe suksese edhe mangësi, ka gjëra që është dashur t’i bëjmë edhe më mirë. Ka një arsye pse jemi në opozitë. Ne i kemi dëgjuar qytetarët e Kosovës, na e kanë dërgu një mesazh më 14 shkurt”, tha Çitaku.