Grabitja e rreth 450 mijë eurove, kërkohet të caktohet masa e paraburgimit ndaj njërit prej të dyshuarve

Policia e Kosovës më 30 nëntor ka arritur të arrestojë njërin prej të dyshuarve lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi ditë më parë në afërsi të liqenit të Badovcit, saktësisht në fshatin Parallovë.

I arrestuari në këtë rast është siç mëson lajmi.net është Dardan Gashi, 24 vjeçar i dyshuar lidhur me grabitjen e armatosur të ndodhur në këtë vend.

Për lajmi.net nga Prokuroria në Gjilan kanë konfirmuar se është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “grabitje”.

Ndryshe katër personat e dyshimtë në këtë rast kishin shtënë me armë në drejtim të automjetit të “Besa Security” të cilët po bartnin paratë e bankës “ProCreditBank”, e të cilat përfunduan në duart e tyre.

Të dyshuarit në këtë rast grabitën paratë e kompanisë duke ikur më pas në drejtim të panjohur. Policia pati raportuar se nga kjo grabitje nuk ka të lënduar, kurse, 20 metra larg vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një armë e cila është përdorur gjatë grabitjes.

“Është raportuar se katër persona të pa njohur duke përdorur armë zjarri të llojit AK/47, kanë grabitur një shumë parash dhe dy armë zjarri, pronë e një kompanie të sigurimit dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Të dyshuarit më pas i kanë vënë zjarrin veturës së tyre të llojit Opell Zafira”, thuhej në njoftimin e policies.

Sipas raportimeve të para është theksuar se shuma e parave të grabitura nga ky rast është rreth 450 mijë euro.