Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me përfaqësues të të gjitha Federatave anëtare.
Të gjitha Sindikatat shprehen pakënaqësitë e tyre dhe njëherit kërkuan që Ligji i Pagave të implementohet sa më shpejt.Me këtë rast ata kanë bërë të ditur se e kanë anuluar grevën dhe protestat dhe i kanë dhënë afat Qeverisë që deri në fund të muajit mars Ligji të shkojë për miratim në Kuvend.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, tha se duhet unitet që të jetësohen kërkesat për Ligjin e Pagave.
“Secila sindikatë ka brenda vetes çështje që mund t’i ngritë. Pres që të marrim një vendim unik për atë se çfarë përgjigje mund t’i japim situatës. SBAShK e theu akullin dhe Qeveria u detyruar të bëjë dialog me ne, pikërisht njeriu që e ka ligjin në tavolinë ministri Sveçla”.
“4 dhjetori po vjen dhe të mos diskutojmë për gjëra të kaluara. A do të hymë në protesta e greva apo do të mjaftohemi me këtë se Qeveria po punon?”.
Kryesindikalisti nga Policia e Kosovës, Imer Zeqiri shprehi pakënaqësi në lidhje me mungesën e sigurimeve shëndetësore, raporton EO.
“Nuk ka në botë Polici pa sigurim shëndetësor. Prej pasluftës punojmë pa sigurim shëndetësor. Sipas Ligjit të Pensionimit policët pensionohen në moshën 55 vjeçare dhe kjo ka qenë e rëndësishme për Policinë e Kosovës sepse një zyrtar policor që pensionohet merr pension prej 90 eurove që është shumë shqetësuese për neve. Për Ligjin e Pagave e kisha shtuar te koeficientet.Një ligj që e refuzoi Kushtetuesja që po e them haptas se s’ka qenë i analizuar mirë dhe në mënyrë të njëanshme e kanë bllokuar atë ligj dhe jam kundër për këtë. Në këtë draft duhet të jemi të gatshëm se çka po përfshihet, sidomos te koeficienti. Ndoshta aty është baza e krejt asaj që duhet bërë ndryshimi”.
Ymer Hmeri nga SBASHK-u, tha se afati i fundit për diskutim me sindikata të jetë fundi i shkurtit, ndërkaq në muaji mars Ligji duhet që të shkojë në Kuvend.
Zenun Sadikaj nga Sindikata të Shërbimit Korrektues të Kosovës, tha se si Sindikatë kanë për qëllim që të përfshihen të gjithë në mënyrë që Ligji mos të kthehet sërish nga Gjykata Kushtetuese.