Mos liberalizmi i vizave për Kosovën po konsiderohet nga deputeti i PDK-së Elmi Reçica si çështje politike.
Derisa sot në Komisionin për Integrime Evropiane, deputeti Reçica ka kujtuar premtimin e BE-së për liberalizim.
Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në mars të vitit 2018, ai tha se ka qenë garanci e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave që t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës lëvizja e lirë në BE.
Ndërsa, Reçica sot ishte edhe pro propozimit të Komisionit për të ftuar ambasadoren e Francës Marie-Christine Butel në Kosovë që të raportojë në këtë komision për qëndrimet e Francës rreth procesit të liberalizimit.
“Duhet të kemi parasysh që ata kanë dhënë garanci, ku unë kam qenë kryetar I Komisionit për Punë të Jashtme, e di saktë, sepse kam qenë pjesë e atyre proceseve, që kanë garantuar, jo mua, jo Komisionit, por institucioneve që kanë dalë nga vota e qytetarëve. Atëherë edhe ministrave të Integrimeve iu kanë garantuar. Unë dakordohem që duhet të vij ambasadori francez në komision, por kjo është një çështje politike”, theksoi Reçica.
Ndërsa, deputeti nga radhët e VV-së Driton Hyseni ka thënë se si Komision duhet kërkuar me shkresë nga Këshilli i Evropës, qoftë edhe me vizitën e anëtarëve të Komisionit në KE për të kuptuar pse nuk po ndodhë liberalizimi I vizave, të cilin proces e quajti të tej zgjatur për qytetarët.
“Ka elemente politike, por edhe nevojë që disa prej shteteve të na e perceptojnë, ndoshta edhe ne t’iu tregojmë me punë dhe përkushtim institucioneve qoftë në fushën e drejtësisë dhe në fushat tjera që të bëjnë progres dhe një çështje e tillë të marrë epilog, sepse është zgjatur dhe tej zgjatur. Ndoshta, edhe ne si Komision pse jo ta kemi një adresim me një letër tek Këshilli i Evropës, ose edhe ta vizitojmë fizikisht dhe të kërkojmë që kjo çështje të mos jetë më pezull, pa ndonjë përgjigje. Nëse ka përgjigje negative ta dimë pse është ajo përgjigje, nëse ka përgjigje pozitive atëherë kur ne mund t’ua kumtojmë qytetarëve lajmin që e presin me vite për të pasur mundësi të lëvizin lirshëm”, thekson Hyseni.
Edhe deputetja nga PDK-ja, Blerta Deliu Kodra theksoi se duhet të vij në raportim ambasadori i Francës për të parë qëndrimet e tyre sa i përket liberalizmit të vizave.
“Në të kaluarën kemi pasur praktika, ku kemi ftuar ambasadorë të akredituar në Kosovë për të parë perspektiven e këtyre shteteve në raport me procesin e liberalizimit të vizave. Konsideroj që është e nevojshme që të fillojë një cikël të ambasadorëve të cilët duhet të vijnë, natyrisht kjo duhet të filloj me Francën, por edhe të tjerë, që duhet të vijnë në Komision e të shohim modalitetet si Komision se cila është perspektiva e tyre në raport me ndryshimet të cilat mund të ndodhin në Kosovë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave”, theksoi ajo.
Komisioni për Integrime Evropiane me nëntë vota pro ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e “Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.
Këtë projektligj e ka prezantuar Besnik Bislimi zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i cili theksoi se ky amendament mundëson shtyrjen e afatit nga 2023 në 2024 për ekzekutimin e projekteve, të cilat sipas tij kanë ngecur për shkak të pandemisë COVID-19.
“Synimi i amendamentit të marrëveshjes në fjalë është që të mundësojmë shtyrjen e afatit përfundimtar të ekzekutimit të projekteve, të cilat ka gjasë që të mos kryhen me kohë si rezultat I pandemisë Covid-19. Konkretisht marrëveshja fillestare ka hyrë në fuqi në vitin 2017 dhe afati për zbatim operacional ka qenë 6 vjet, që do të thotë deri në fund të vitit 2023, kurse me këtë amendamenti e shtyjmë këtë afat edhe për një vit, deri më 2024”, theksoi Bislimi.
Ani pse kanë mbështetur këtë projektligj, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) patën kritika.
Blerta Deliu Kodra nga ky subjekt ka kritikuar zëvendëskryeministrin Bislimi për siç tha ajo, mos rritje të buxhetit për departamentin e integrimeve evropiane.
Ky komision ka miratuar po ashtu edhe Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, si dhe Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendi, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.