200 milionët e Gazsjellësit Amerikan do të investohen në “projekte me risk më të ulët”

MCC kishte ndarë për Kosovën nëpërmjet Projektit Kompakt 200 milionë euro fonde për investime në fushën e energjisë – të destinuara për projektin e Gazsjellësit Amerikan. Por, qeveria e Kosovës dhe ministria e Ekonomisë e kanë parë këtë projekt me rrezik dhe kanë vendosur që fondet t’i rialokojnë.

Rialokimi i këtyre 200 milionëve sipas një përgjigje zyrtare të ministrisë së Ekonomisë për lajmi.net thuhet se do të bëhet në “projekte me risk më të ulët”.

Në përgjigjen e ME-së thuhet gjithashtu se projektet të cilat është menduar të investohen këto fonde kanë të bëjnë me fushën e energjisë dhe që e ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit.

Këto projekte kanë të bëjnë me forcimin e rrjetit, akumulimin e energjisë dhe zhvillimin e fuqisë punëtore në fushën e energjisë me fokus te barazia gjinore.

“Projekti Kompakt i MCC-së nuk është refuzuar por fondet janë ri-alokuar për projekte me risk më të ulët, projekte të cilat poashtu do ta ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit, dhe të cilat përfshijnë: Forcimi i rrjetit; Akumulim të energjisë; dhe Zhvillim të fuqisë punëtore në fushë të energjisë me fokus në përfshirje të barabartë gjinore dhe incentiva të punësimit.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë .

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë kishin vlerësuar se projekti i Gazsjellësit Amerikan mund të paraqiste barrë financiare për Kosovën pasi nga fondet e MCC-së do të financohej vetëm 25 përqind e tërë projektit dhe pjesa tjetër do të bëhej nëpërmjet kredive.

Këtë e ka deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një paraqitje të tij televizive ku shprehej se nuk ka qenë e menduar që MCC-ja ta financojë projektin e gypave të gazit. Madje Kurti ka thënë se një projekt i tillë mund të ndërtohet më vonë vet.

“Me SHBA-të njerëzit mbase edhe kanë harruar pak, por ne operacionin kryesor që e kemi pasë sivjet është “Defender Europe 2021”. 330 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë, 27 shtete në këtë ndërmarrje më të madhe ushtarake në Evropë me ç’rast në mesin e 16 shteteve nikoqire ishte edhe Kosova. Sa i përket gypave të gazit nuk është menduar që MCC-ja ta financojë atë, prapë është menduar që ne të marrim kredi. Te shpenzimet kapitale MCC-ja do të ndihmonte me 25%, por është ¼ e shpenzimeve kapitale ndërkohë që edhe shpenzimet operacionale janë 60 % të shpenzimeve kapitale. Ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë çmimi do të paguajnë në fund qytetarët. Nuk është problemi vetëm se si të vendoset gypi Shkup-Prishtinë që ne e ndërtojmë vetë dhe mund ta ndërtojmë më vonë vetë me kredi sërish”, u shpreh Kurti.

Mos-pranimi i këtij projekti ishte kritikuar shumë në opinionin publik. Njohës të çështjeve të ekonomisë dhe sigurisë e vlerësuan këtë projekt si shumë të rëndësishëm jo vetëm në çështjet energjetike që kanë të bëjnë me energjinë e ripërtëritshme, por edhe me çështje të tjera si siguria e politikat e mjedisit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibiri për lajmi.net pati deklaruar se projekti i Gazsjellësit Amerikan mund të pengonte ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, shtet ky që e përdor gazin si mjet për të ushtruar ndikimin e vet.

“Realisht ne kemi sasi të thëngjillit, por po ndikon shëndetin dhe po shkakton ndotje. Mundësia pra me e përmbyllë, mendoj se vazhdon të jetë një shans i refuzuar tashmë meqë s’ka kaluar as si mocion në Kuvendin e Kosovës dhe unë mendoj se kjo duhet të rishqyrtohet dhe qeveria e ka lënë një afat të pacaktuar të shqyrtohet. Mendoj se është një çështje e rëndësishme të përmbyllet implikimi i Rusisë si një furnitor strategjik që tenton të futet në këtë pjesë të Ballkanit dhe kjo ka implikime edhe të sigurisë nëse nuk zgjedhjet kjo variant dhe zgjedhet një variant tjetër.”, pati deklaruar Ibishi.

Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë në anën tjetër kishte deklaruar se Kosova nuk duhet të aplikojë politika përjashtuese ngase e vlerësonte projektin e Gazsjellësit Amerikan si shumë të rëndësishëm për vendin nga disa aspekte.

“Duhet të kuptohet se projekti i tillë duhet të analizohet në aspektin strategjik, integrues, social dhe ambientalist dhe vet fakti që po e faktorizon Kosovën në Ballkanin Perëndimor ku partner e ka Greqinë dhe Bullgarinë, besoj është përparësi. Nëpërmjet këtij projekti mund të kemi njohje të shpejtë nga Greqia. Kosova po bëhet një vend i interesave që lidhë Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë dhe përmes Kosovës importohet edhe në Serbi dhe mendoj që duhet të ketë analizë, por kurrësesi refuzim dhe të merren veprime të tilla politike dhe jo analitike.”, pati thënë Gërxhaliu .

Kritike kishte qenë edhe opozita. Të tri partitë opozitare në një seancë të Kuvendit të Kosovës kishin kritikuar qeverinë Kurti dhe ministrinë e Ekonomisë për refuzimin e projektit të Gazsjellësit Amerikan duke thënë se po i shkaktohet dëm Kosovës.