Kurti nuk harron avazin e qeverive të kaluara, ua jep pushim punonjësve shtetëror ditën e hënë me rastin e 28 Nëntorit

Edhe pse festa e 28 Nëntorit u shënua dje, drejtuesit e institucioneve si dhe punonjësit e tjerë po vazhdojnë të pushojnë edhe sot.

Duke i lidhur kështu tri ditë pushim radhazi, të lartcekurit po vazhdojnë avazin e vjetër atë të pushimit jashtë ditës së festës.

Një gjë e tillë ishte komentuar dhe kundërshtuar shpesh herë derisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, por ngjashëm veproi kryeministri Albin Kurti tani që drejton Qeverinë e Kosovës.

Derisa në kuadër të kalendarit të festave zyrtare të shtetit nuk figuron edhe festa e 28 Nëntorit, kryeministri Kurti njoftoi së fundi se e hëna do të jetë ditë pushimi.

Kësisoj jashtë funksionit sot janë të gjithë institucionet publike, shkruan lajmi.net.

Njoftimi se e hëna do të jetë ditë pushimi u dërgua nga Kurti tek ministrat gjatë të enjtes.

“Ju lutem vini re që, nisur nga dispozitat e Ligjit Nr.03./L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës, kërkoi nga ju që, në koordinim me Komisionin Republikan të Festave, të bëni njoftimin me kohë për nëpunësit e administratës publike, që për nder të festës së 28 Nëntorit, dita e hënë 29 nëntor 2021, do të jetë ditë pushimi. Ju lutem të mbani të informuara të gjitha institucionet publike lidhur me këtë kërkesë”, thuhej në shkresën e kryeministrit Kurti.

Ndërsa në kalendarin e festave zyrtare të vendit figurojnë vetëm 11, e që në mesin e tyre nuk është 28 Nëntori.

Pavarësisht kësaj gjatë mbrëmjes së kaluar kosovarë të shumtë festuan shënimin e kësaj date mjaftë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

Por shumë prej qytetarëve këto ditë të pushimit i shfrytëzuan që të udhëtonin drejt Shqipërisë.

Kolona të gjata janë krijuar mbrëmë në hyrje-daljet e dy shteteve, ndërsa padyshim pushimin mundësi patën që ta vazhdojnë edhe sot falë vendimit të Kurtit.

Avazi i pushimit në ditë të punës, jashtë ditës së festës po vazhdon edhe këtë vit ngjashëm nga çdo qeverisje e kaluar.