Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore;
Familje të heronjve e të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare;
Të dashur drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;
Të respektuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bashkëkombës kudo që jetoni!
28 Nëntori është njëra nga datat më të rëndësishme në historinë e popullit tonë. Dita e Flamurit është festa e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë. Kjo festë na bashkon në lartësimin dhe nderimin e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën e tyre përgjatë historisë për mbijetesën, lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar.
Sot e festojmë edhe Ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së në vitin 1997! Kjo ditë ngërthen në vete sakrificën, bujarinë e krenarinë e popullit tonë dhe shërben si frymëzim atdhedashurie për gjeneratat e reja.
Së bashku me Kombëtaren e veteranëve të Kosovës sivjet këtë ditë të madhe do ta festojmë në Shqipëri. Dje vizituam Vlorën e Ismajl Qemajlit për të nderuar guximin dhe vizionin e atdhetarëve tanë që në vitin 1912 shpallën pavarësinë e Shqipërisë, kurse sot jemi në Durrësin e lashtë, aty ku yjet e futbollit mbarëshqiptarë ndërvite do të luajnë një ndeshje vëllazërore në shenjë mirënjohje e nderimi për të gjithë atdhetarët, heronjtë dhe dëshmorët që punuan deri në flijim për trojet shqiptare nga periudha e rilindasve e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së.
Ju uroj përzemërsisht të gjithëve 28 Nëntorin, me dëshirën për realizim të aspiratave evropiane dhe forcim të dy shteteve tona, të cilat i krijuam me gjak e shumë sakrifica.
Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët dhe veprimtarët që luftuan e punuan për lirinë e popullit shqiptar!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së