Shpallet fituesi për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e 49 të Artit të Venedikut

Në bazë të Vendimit Nr.137/2021, të datës 12.11.2021 të emërimit zyrtar për jurinë profesionale, nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku.

Komisioni i përbërë nga:

Sezgin Boynik,
Flaka Haliti,
Vincent Honoré,
Alenka Gregoric,
Adrian Paci,

Zgjodhi midis dymbëdhjetë propozimeve që ishin dorëzuar në thirrjen publike për pavijonin kombëtar në Bienalen e 59-të të Venedikut.
Juria vendosi që Jakup Ferri të jetë përfaqësuesi i ardhshëm i Republikës së Kosovës në Bienalen e ardhshme të Venedikut, me projektin “The Monumentality of the Everyday” kuruar nga Inke Arns .

Vendimi i komisionit u bazua në një projekt-propozim të hartuar mirë, i cili përfshin një metodë dhe afat kohor të mirëpërcaktuar të zbatimit. Prezantimi gjithashtu pati një lidhje të qartë me temën kryesore të edicionit të ardhshëm të bienales si dhe një reflektim nga artisti mbi përvetësimin e mediumeve më tradicionale – si vizatimet, pikturat dhe thurjet – dhe integrimin e tyre në një qasje konceptuale të njohur në praktikat e tij të mëparshme.

Anëtarët e komisionit u bindën jo vetëm nga qasja origjinale e artistit ndaj vizatimit, por edhe nga këmbëngulja e tij kokëfortë për mediumin e zgjedhur dhe një mënyre unike të integrimit të motiveve të tij idiosinkratike – që rrjedhin nga vëzhgimet e mprehta të gjërave që e rrethojnë – në një seri punimesh te reja. Komisioni është gjithashtu i bindur se bashkëpunimi me kuratoren e njohur ndërkombëtarisht Inke Arns do të kontribuojë në prezantimin e shkëlqyer të punës së tij në pavijon.

Motivet e gjetura në këto vepra vijnë nga vizatimet e tij intime që funksionojnë si shënime të marrëdhënieve ndërpersonale- ose thënë më mirë, përmbledhje artistike të marrëdhënieve të perceptuara – mes njerëzve që nga pamja e parë duken të lidhur gjatë gjithë kohës, por megjithatë janë të ndarë nga njëri-tjetri, nga qeniet e tjera dhe nga mjedisi i tyre. Këto vizatime të thjeshta dydimensionale dhe fragmente tregimesh i tejkalojnë njerëzit, kafshët dhe rrethanat e tyre, duke propozuar kështu një ri artikulim të subjektivitetit dhe propozojnë një ri interpretim të këtyre marrëdhënieve të tjetërsuara. Ne mund t’i interpretojmë këta skenarë hapësinorë unikë si udhëzime për mënyra të reja të mundshme të bashkëjetesës dhe si propozime për një kuptim të ri të ndërvarësisë sonë.
Një aspekt i rëndësishëm i këtyre veprave është edhe lidhja e vizatimeve të artistit me artin dhe zejet tradicionale popullore. Gjegjësisht, vizatimet janë shndërruar në tapiseri, të cilat janë bërë në bashkëpunim me gra nga rajoni nga e ka vetë origjinën artisti. Në këtë mënyrë ai jo vetëm që i bën një nderë artit tradicional – i cili dalëngadalë po zhduket – por e lidh këtë traditë me artin bashkëkohor duke i shndërruar të dyja në një përvojë të re. Nëpërmjet krijimit kolektiv të veprave të tij, ai gjithashtu transferon tema dhe çështje bashkëkohore – siç është tjetërsimi në rritje i njerëzve – në histori lumturie dhe optimizmi. “Aftësia e tij për të krijuar kozmologji alternative dhe kushte të reja të ekzistencës … nuk zbulon se kush jemi, por si të gëlltisim shqetësimet dhe frikën e kohës, dhe na tregon se kush dhe çfarë mund të bëhemi”
është vetëm një nga shumë referencat nga koncepti kryesor i Bienales së ardhshme të Venecias.
Megjithatë, në vizatimet dhe tapiserit e tij, Jakup Ferri jo vetëm që tregon histori dhe nxjerrë në pah marrëdhëniet mes protagonistëve të tij, por shkon një hap më tej. Me një mungesë hapësire në krijimtarinë e tij që aludon zbrazëtinë, përjetësinë dhe vizatimin e vjetër antik, ai gjithashtu vendos edhe një pengesë kohore përballë nesh. Zhytja në punën e tij është një proces i ngadaltë që kërkon durim dhe një grimcë të imagjinatës sonë. Duke shfaqur disa propozime të gjalla për bashkëjetesë dhe skenarë të mundshëm për të ardhmen tonë, këto vepra ngjallin edhe shpresë.