Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jashari, përmes një letre publike ka thënë se nuk është hajn e milioner.
Ky reagim i tij vjen pasi në një emision televiziv, Dibran Hoxha dhe përfaqësuesi i organizatës ORCA kishin folur për pasurinë e Jasharit.
Jashari ka thënë se nëse akuzat e bërë karshi tij nuk argumentohen, do të ndjek rrugën ligjore.
“Në emisionin “Click” të se enjtes temë debati ishin protestat dhe grevat lidhur me fatin e Ligjit të pagave , por përfaqësuesi i ORCA-s e kthehu debatin në krejt diçka tjetër duke mos kursyer fyerjet dhe thirrjet për linçim publik të njerëzve. Pjesëmarrësit në këtë debat tahin çka mund të thoshin dhe me këtë nuk do të merrem unë, por ky Dibrani, besoj, i porositur e i nxitur nga individë e qarqe të caktuara me përgojoi rëndë me një varg shpifjesh e gënjeshtrash duke u munduar të më paraqes si hajn e milionerë me qëllimin e vetëm që ta degradoj personalitetin tim dhe ta zbeh respektin e besimin që kam , jo vetëm të mijëra punëtorë të arsimit, por edhe të shumë qytetarë të tjerë kudo në Kosovë. Dibrani dhe ORCA e thanë se paskan dokumente që tregojnë për pasurinë time, por se nuk paska arritur t’i printojnë. Unë nuk jam hajn as milionerë. Kam një shtëpi modeste në Pejë dhe kemi një makinë të thjeshtë që ia bleva si dhuratë vajzës sime duke hyrë në kredi për çka banka ka dokumente për këtë. Për ta riparuar kulmin e shtëpisë u detyrova të tërheq atë 10 % nga Trusti dhe në bankë mundohem të ruaj pa harxhuar shumën sa kushton një varrim sepse jam në moshë dhe shëndetin nuk e kam si duhet. Pasuria ime më e madhja janë familja ime , nderi , krenaria që jam kryetar i SBASHK-ut dhe respekti i punëtorëve të arsimit dhe qytetarëve tjerë”, thuhet në reagim.
Kreu i SBASHK-ut ka thënë se sulmohet gjithnjë veç pse mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit.
“Duke mbrojtur punëtorët e arsimit nga fyerjet dhe duke u angazhuar me mish e shpirt për të prezantuar kudo zërin e tyre jam fyer edhe për dhëmbët, edhe për pamjen. Jam quajtur edhe debil e kryedebil, ORCA më tha se jam edhe analfabet , por nuk kam reaguar. Mirëpo shpifjet dhe gënjeshtrat e Dibranit të ORCA-s dhe thirrja publike që kundër meje të bëhen protesta , që të shkarkohem dhunshëm dhe që të formohen sindikal të tjera e kanë mbushur kupën. Dibran Hoxha dhe ORCA argumentojeni deri nesër se jam hajn dhe milionerë ose do të shihni se kush jam unë vërtetë . Do të shihemi në gjykatë o shpifës , o njerëz pa as një vlerë njerëzore. Në fund një vërejtje edhe për udhëheqësin e emisionit. I nderuar , unë kam qasje shumë korrekte ndaj medieve dhe vlerësoj lartë angazhimin tyre. Ti është dashur të reagosh që të mos fyhen e ofendohen njerëzit që nuk janë në studio. Është dashur të insistosh që Dibrani në laptopin tënd të gjej ato dokumente për mua dhe nuk do i gjente dot se nuk ekzistojnë” shkruan Rrahman Jashari në reagim.