Lejeqendrimi, hekurudhat e kufiri: Rama jep detaje për marrëveshjet Kosovë-Shqipëri

Ka nisur mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka dhënë detaje për marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot mes qeverive.

Ai ka thënë se marrëveshja lehtëson procedurat për marrjen e lejeqendrimit.

Tutje, ai ka thënë se krijohen edhe kushte për akses më të lehtë në tregun e punës.

“Marrëveshja që kemi sot para nesh për firmë lehtëson procedurat për marrjen e një leje qëndrimi automatike që është fare e natyrshme por u desh të uleshin dhe ta materializonin. Krijohen kushte shumë më të favorshme për të dy anët e kufirit për aksesin në tregun e punës. Për bashkimin e shqiptarëve në një hapësirë të vetme ku shqiptarët mund të punojnë dhe të dalin në pension dhe të përfitojnë kontribut pavarësisht se ku janë në Shqipëri apo Kosovë. Njohja e sigurimeve shoqërore jep një mesazh për garantimin e çdo qytetari për të punuar dhe jetuar në cilëndo anë të kufirit. Të diplomuarit në universitetet tona do kenë njohje reciproke të diplomave në mënyrë elektronike”, tha ai.

“Hiqet edhe diskrecioni i përgjigjes sipas dëshirës dhe mosdëshirës së burokracisë në të dy anët. Është marrëveshje inovatore. Bashkëpunimi në fushën e arsimit është konsideruar prej të dyja qeverive prioritet dhe paraprija e thellimit të këtij bashkëpunimi si nevojë urgjente për të fuqizuar kapitalin tonë njerëzor është detyra jonë.  Pas nisjes së punës për hekurudhën nënshkruajmë një memorandum bashkëpunim për të filluar studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës Prishtinë. Sot ne jemi besoj me të drejtë të lehtësuar sepse hedhim një hap konkret. Jemi të bindur që në varësi të këtij studimi do të mund të prezantojmë këtë projekt për të aksesuar fonde nga plani europian i investimeve”, tha tutje ai.

“Nga ana tjetër jemi shumë të qartë që në dy anët kemi nevojë të përmirësojmë kushtet për hapjen e tregjeve. Jemi të vetëdijshëm që një pjesë e rëndësishme e kësaj problematike janë çështje burokratike. Më vjen mirë që firmosim sot për lehtësimin e kalimit doganor. Kemi gjetur një rezonim të plotë bashkë me kryeministrin. Jemi në kushtet kur realisht kemi një mundësi që të hapim më shumë hapësira që shërbimet konsullore të Shqipërisë dhe Kosovës të krijohen në godina të përbashkëta”, shtoi tutje Rama.

“Është një racionalizim edhe i shpenzimeve sepse në këtë mënyrë mund të paguajmë më pak për të pasur hapësirat. Dhe mund të punojmë më shumë për mbajtjen gjallë të nevojave që duhen adresuar në pjesën jashtë kufijve me diasporat tona. Koordinimi mes nesh është themelor dhe këto marrëveshje kanë një karakteristikë dhe nuk janë marrëveshje të radhës që rrezikojnë të mbeten në kalendat greke. Sot është nevoja për të zbatuar ato masa në mënyrë që nga gjithë dakordësitë në letër të kalohet në realitet tjetër në terren për mallrat dhe shërbimet që hapësira e përbashkët të jetë realisht hapësirë e përbashkët”, tha Rama.