Pagesat e përgjithshme të Qeverisë dhe KOSTT-it për rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës kanë arritur vlerën e 27.7 milionë eurosh.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ku theksoi po ashtu se vetëm për vitin 2021 janë ndarë nga KOSTT 17.7 milionë euro për mbulimin e humbjeve të energjisë në atë pjesë.
Këto shpenzime sipas Mehmetit janë shtuar për shkak të rritjes së konsumit dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Deputeti nga AAK, Pal Lekaj theksoi se ndarja e 6.7 milionë euro përveç atyre 11 milionë që janë me autorizim të Kuvendit, është shqetësuese.
“Ne jemi të shqetësuar për veprimet që po bëhen dhe po paguhet për të papërgjegjshmit në ato komuna veriore. Jam i mendimit që të mos bëhen pagesa të tjera për rrymën në veri, sepse po bëhet edhe diskriminim për qytetarët të cilëve u shkyçet rryma”, tha ai.
Në anën tjetër kryetari i Komisionit Ferat Shala duke komentuar këto shuma të larta për mbulimin e humbjeve në veri, tha se Qeveria është dashur t’i zbatojë rekomandimet e Kuvendit për gjetjen e një zgjidhje për gjashtë muaj.
Deputetja Mimoza Kusari Lila anëtare e Komisionit, tha se përmbushja e rekomandimit për gjetjen e një zgjidhje për 6 muaj i takon të përgjigjet qeverisë, veçanërisht ministres për Ekonomi, Artane Rizvanolli.
Deputeti Armend Muja nga VV tha se pagesat e rrymës për veriun janë një problem i trashëguar.