U kapën duke i prerë pyjet, arrestohen 15 persona në Ferizaj

Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndërmarrë një operacion kundër prerjes së pyjeve në Parkun Nacional Sharri.

Basri Shabani, drejtor i policisë për Rajonin e Ferizajt ka njoftuar se në dy aksione të ndara janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje 15 persona.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, dje me datën 18.11.2021 duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit , nga sektori i hetimeve rajonale në bashkëpunim dhe në përkrahje dhe asistencë nga njësia e reagimit të shpejtë dhe njësitet patrulluese në terren ka filluar të zbatojë planin operativ ‘Sharri 2021’. Në kuadër të këtij plani operativ janë ndërmarrë një seri veprimesh në parandalim dhe zbulim të kryesve të veprës penale të shkretimit të pyjeve dhe vjedhjeve të pyjeve në Parkun Nacional Sharri. Në dy lokacione të Parkut Nacional janë kapur në flagrancë dhe arrestuar 10 persona duke prerë dru”, ka thënë Shabani.

Më tutje Shabani njoftoi se tetë persona të tjerë pas intervistimit nga prokurorja e rastit janë liruar në procedurë të rregullt.

Megjithatë, Shabani njoftoi se hetimi ndaj tyre do të vazhdojë.

“Në të njëjtën kohë në pesë lokacione në fshatin Ivar në dy lokacione, Rakaj, Dubravë dhe Sllatinë janë kontrolluar pasi të njëjti dyshohet se për një kohë të gjatë janë duke u marrë me dëmtimin e Parkut Nacional me prerjen e drunjtëve. Këta persona kanë qenë nën hetim që një kohë të gjatë. Në këtë operacion janë arrestuar pesë persona të cilët me urdhër të prokurorisë janë ndaluar për 48 orë. Personat e dërguar në mbajtje janë Sh.L. viti i lindjes 1995, fshati Ivaj Kaçanik, N.L. viti i lindjen 1987, fshati Ivaj në Kaçanik, E.Sh. i lindur më 1983, fshati Sllatinë në Kaçanik, B.R. i lindur në vitin 1992 në Kaçanik dhe G.S i lindur më datë 1987 në Kaçanik. Ndërsa tetë persona të tjerë që janë shoqëruar në stacionin policor janë liruar në procedurë të rregullt, por se hetimi ndaj tyre do të vazhdojë”, ka thënë më tutje ai.