Në prag të ndeshjes Greqi – Kosovë, presidenti i Federatës greke të futbollit, Panayiotis Demetriou, ka shtruar darkë për delegacionin e FFK-së në krye me presidentin Agim Ademi, e ku ishte i pranishëm edhe delegati i ndeshjes nga UEFA. Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore krerët e të dyja federatave biseduan për zhvillimin e futbollit në dy vendet tona dhe për raportet e mira që tashmë kanë krijuar ato, për faktin se ndeshja e nesërme do të jetë e katërta ndërmjet dy vendeve brenda një periudhe dyvjeçare. Presidenti Ademi dhe homologu i tij Demetriou u shprehën të gatshëm të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet dy federatave, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme. Në fund të darkës të dyja palët uruan për lojë të mirë dhe korrekte në ndeshjen e nesërme si dhe shkëmbyen dhurata.