Përmbyllet faza e shpërndarjes së katapultave GPS; Llapi e Gjilani e vlerësojnë si projekt avancues

Sot është përmbyllur faza e shpërndarjes së katapultave GPS për klubet e BKT Superligës, projekt ky i realizuar nga FFK me produktet e kompanisë së licencuar nga FIFA, “Fitogether”. Llapi dhe Gjilani kanë qenë dy skuadrat e fundit që janë pajisur me pajisjet e teknologjisë së fundit, të cilat u shërbejnë klubeve në nxjerrjen e pasqyrimin e performancës fizike të lojtarëve dhe statistikave tjera të nevojshme. Presidenti Ademi gjatë vizitave në këto dy klube ritheksoi rëndësinë e përdorimit të katapultave GPS në futbollin tonë, duke u shprehur i bindur se kjo do të ndikojë në punë sa më të frytshme në klubet tona. “Ne besojmë se këto pajisje do të jenë shumë të rëndësishme për zhvillimin dhe avancimin e punës suaj si futbollistë por edhe si klube, ngase pasqyrohet performanca e secilit lojtar gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve. Duke pasur parasysh gjendjen e klubeve tona dhe faktin se këto pajisje kanë një kosto të lartë ne kemi vendosur t’iu mbështesim, sepse vetëm bashkërisht mund ta çojmë futbollin e Kosovës përpara”, ka thënë kreu i FFK-së. Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur mirënjohës dhe falënderues për këtë donacion. “Për mendimin tim ky është projekti më i rëndësishëm që e ka finalizuar FFK pas projektit të VAR-it. Këto pajisje do të na ndihmojnë që ta shohim performancën tonë reale dhe ta rrisim cilësinë brenda skuadrës, por edhe në përgjithësi nivelin e ligës. Mbështetja e këtillë i duhet shumë Superligës tonë dhe besoj se këto pajisje do t’i përdorim në mënyrën më të mirë dhe më profesionale”, ka thënë Batatina. Edhe drejtori ekzekutiv i Gjilanit, Sevdail Robelli e ka falënderuar presidentin Ademi dhe FFK-në për ndihmën e ofruar me këto pajisje. “Kemi pasur nevojë për diçka të tillë dhe si klub kemi provuar më herët për t’u pajisur me to, por ka qenë një produkt shumë i kushtueshëm për ne. Pajisja me katapultat GPS është e mirëseardhur dhe do të ndihmojë në punën e ekipit, por gjithsesi edhe për qëllimet e federatës në rritjen e rejtingut dhe të cilësisë së ligës. Ju përgëzoj për këtë projekt dhe presim që të na mbështesni edhe në të ardhmen me qëllim të avancimit të futbollit”, ka thënë Robelli. Ndërkohë, po sot në FFK është mbajtur edhe trajnimi me personat përgjegjës të klubeve rreth përdorimit të programit të katapultave GPS.