Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e grupit hartues për procesin e vetting-ut, të caktuar nga Ministria e Drejtësisë.
KGJK, me anë të një komunikate ka thënë se procesi i vetting-ut është duke u bërë nga ana e dikasterit të Drejtësisë pa u konsultuar me institucionet e pavarura të drejtësisë.
Tutje, ky institucion ka pasur kritika edhe për qasjen e MD-së, duke e quajtur “jo-serioze” dhe “jo-profesionale”.
Njoftimi i plotë:
Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes kësaj deklarate shpreh qëndrimin institucional për të mos marrë pjesë në Grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.
Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e vetingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë.
Për më tepër, ky koncept-dokument i dorëzuar në Qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti.
Prandaj, kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale.
Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion kushtetues mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të brendshme institucionale, të punojë në avancimin e sistemit prokurorial, gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve.