- Prishtina dhe Ulpiana janë dy klubet e tjera të BKT Superligës që janë pajisur sot me pakot e katapultave GPS të prodhuesit “Fitogether”, në kuadër të fazës të projektit të digjitalizimit të klubeve
Presidenti Agim Ademi në shoqëri të anëtarit të KE-së, Ismajl Ajeti e kanë vizituar klubin bardhekaltër të kryeqytetit në fushën stërvitore në Bërnicë si dhe klubin e Ulpianës në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me ç’rast para futbollistëve dhe shtabit teknik të dy skuadrave janë shpalosur detajet e projektit të digjitalizimit të klubeve.
Presidenti Ademi në të dyja vizitat foli për rëndësinë e katapultave GPS në futbollin e sotëm modern dhe u shpreh i lumtur që FFK po arrin t’i ndihmojë klubet në këtë aspekt.
“Ky projekt ka për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për punë në klubet tona dhe shërben në rritjen e perfomancës individuale por edhe ekipore. Po ashtu, nëpërmjet këtij programi do të kemi mundësi të rrisim edhe nivelin dhe rangimin e ligës tonë, pasi edhe ashtu mendoj se jemi në një nivel më të lartë se sa që aktualisht jemi të ranguar në nivel evropian dhe botëror”, ka thënë ndër të tjera presidenti Ademi.
Kryetrajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani e ka mirëpritur këtë projekt dhe e ka falënderuar FFK-në që po i ndihmon klubet edhe në forma të këtilla me teknologjinë e kohës moderne.
“Kjo është një ndihmesë shumë e madhe për ne. Jam i bindur dhe ua japë fjalën se do t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë këto katapulta, jo vetëm për të ngritur nivelin tonë si skuadër, por edhe në interes të rritjes së nivelit të futbollit kosovar në përgjithësi”, është shprehur Ramadani.
Ndërkaq, drejtori sportiv i Ulpianës, Enver Duriqi ka lavdëruar punën dhe kontributin e presidentit Ademi në përmirësimin e imazhit dhe organizimit të futbollit kosovar.
“Dikur për dikë ka qenë ëndërr dhe iluzion të mendohet sistemi VAR, por ne sot po e implementojmë në futbollin tonë falë vizionit dhe vendosmërisë së presidentit Ademi. Projektet e FFK-së kanë qenë të vazhdueshme si në përmirësimin e infrastrukturës, ashtu edhe në digjitalizim, prandaj jam i bindur se edhe donacioni i katapultave GPS nuk do të jetë i fundit, por vetëm vazhdimësi e strategjisë për ngritjen e mëtejme të futbollit kosovar”, ka thënë Duriqi.