Kurti: Numri i të punësuarve nga marsi është rritur me 9 mijë e 351 punonjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë vizion i Qeverisë.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në konferencën e parë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me bizneset e Prishtinës.

“Kemi nisur me Prishtinën dhe më pas do të vazhdojmë në komunat e tjera. Përgëzoj Rozeta Hajdarin bashkë me kolegët e saj për organizimin e këtyre ditëve të biznesit. Qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë vizion i qeverisë sonë, nevojitet zhvillim ekonomik i qëndrueshëm por edhe sa më i shpejt”.

Tutje, Kurti tha se në programin e Qeverisë një nga qëllimet strategjike është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve në rajon dhe më gjerë.

“Në programin qeverisës një nga qëllimet tonat strategjike është përmirësimi i konkurrueshmërisë të ndërmarrjeve në rajon dhe më gjerë që synojmë ta arrijmë përmes avancimit të politikave në sektorin e industrisë dhe investimeve si dhe përmirësim i shërbimeve në infrastrukturë të cilësisë. Dialogu i vazhdueshëm mes nesh është i domosdoshëm që vizioni dhe programin e qeverisë t’i përkthejmë në veprime sa më të efektshme dhe më frytdhënëse. Nxisim dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin, punësimin dhe investimin”.

“Zhvillimi ekonomik s’mund të arrihet nëse nuk japim përkrahje te zhvillimi i sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit që do të ndikoj në përmirësimin e bilancit tregtar dhe shtimin e punësimit. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë ka një rritje të përshpejtuar prej 9.9 përqind të bruto produktit vendor për këtë vit, krahasuar me një vit më parë, të ardhurat tatimore janë shtuar me 33.5 përqind në periudhën janar-shtator ndërkaq eksportet me 68 përqind, kurse numri i të punësuarve prej mars-shtator është rritur me 9 mijë e 351 punonjës. Shtimi i të hyrave tatimore është bërë pa ndryshuar politikat fiskale”, tha Kurti.