Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona me profesion kamarier në Prizren, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Të arrestuarit dyshohet se kanë shpërndarë para të falsifikuara metalike prej 2 eurove, shkruan lajmi.net.
Në njoftimin e policisë, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren ka marrë veprime hetimore në bashkërëndim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren, si dhe me urdhër verbal nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, kanë bërë kontrollin e katër personave të dyshuar si dhe kanë kontrolluar shtëpinë e personit të pestë të dyshuar, si i dyshuar kryesor i rastit.
Gjatë kontrolleve të realizuara, policia ka gjetur prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin për veprën penale “Falsifikim i parasë” nga neni 296 i KPRK-së.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
– Njëqind e nëntëdhjetë e pesë (195) para metalike nga dy (2) euro (të dyshuara si të falsifikuara) dhe
– Pesë (5) telefona mobil të dyshuarve,
Bazuar në dëshmitë dhe të gjeturat, të njëjtit dyshohet se janë kryerës potencial të kësaj vepre, ku vetëm gjatë muajit tetor 2021, kanë shkëmbyer herën e parë 300.00 EUR origjinal të fituara për 400.00 EUR false, që i kanë shpërnda, herën e dytë 200.00 EUR origjinal për 300.00 EUR false, si dhe herën e tretë 400.00 EUR origjinal për 550.00 EUR false. Të pesë të dyshuarit në bashkëpunim, me qëllim të përfitimit material, kanë shpërnda para të falsifikuara dhe paratë origjinale të fituara nga vepra penale “Falsifikim i parasë”, i kanë ndarë në pjesë të barabarta, në pesë pjesë.
Pas intervistimit të personave të dyshuar, me vendim për ndalim nga prokurori kompetent, të pesë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.