Nisma Socialdemokrate ka bërë kërkesë për rinumërimin e votave në të gjitha qendrat e votimit në Podujevë.
Kjo parti e cila garoi me kandidatin Xhemajl Hasani, po pretendon se ka pasur manipulim të votave.
Nga ky subjekt politik thonë se nuk kanë pasur komisioner në të gjitha qendra ku u votua.
“Më datë 29.10.2021, PZAP ka pranuar apelin Anr. 723/2021 nga subjekti Politik Nisma Socialdemokrate, dega në Podujevë, me të cilën pretendon se kanë dyshime të mëdha se votat për kandidat për kryetar në Komunën e Podujevës janë keqpërdorur nga komisionerët pothuaj se bë të gjitha vendvotimet. Parashtruesi i ankesës shton se Subjekti Politik Nisma Socialdemokrate, nuk ka pasur komisionet në çdo vendvotim dhe se nga kjo arsye iu janë abuzuar votat e tyre, prandaj kërkojnë rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet. Kërkojnë që fillimisht të numërohen votat e Subjektit Politik Nisma Socialdemokrate në QV 1818E, në Orllan, me qëllim që të vërtetohet dallimi i votave dhe pastaj të bëhet rinumërimi në të gjitha Vendvotimet në Komunë e Podujevës”.
Por, kërkesa e “kandidatit modest” u refuzua nga ana e PZAP-së.
Sipas këtij paneli nuk janë ofruar prova për tu vërtetuar pretendimet e Nismës.
Xhemajl Hasani, në garën për kryetar të Podujevës i ka marrë 205 vota ose 0.54 për qind.